Kërkoi ndryshim të masës duke vendosur garanci 50 mijë euro, GJKKO rrëzon kërkesën e Metës

AKTUALITET


Gjykata e Posaçme la në qeli ish-Presidentin Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësim mase.

Meta vendosi garanci pasurore prej 50 mijë eurosh, për të ndryshuar masën e ‘arrestit me burg’, por GJKKO refuzoi kërkesën.

Më herët prokurori Sotir Kllapi hodhi poshtë pretendimin e avokatit të Metës, se vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë legjitimonte lirimin e kryetarit të Partisë së Lirisë.

Prokurori vuri në dukje se rrezikshmëria shoqërore është evidente dhe nuk ka rrethana për zbutjen e masës së sigurimit. Po sot pritet të mbahet edhe seanca e gjyqit në themel ndaj Metës dhe të pandehurve të tjerë të dosjes.

Ish-presidenti kërkoi nga Gjykata e Posaçme t’i zëvendësojë masën “arrest në burg”, në të cilën qëndron prej tetorit 2024, me atë të “garancisë pasurore”, “detyrimit për paraqitje”, ose “ndalimit të daljes jashtë vendit”.

Më 4 maj Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e radhës për liri të ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, ndërsa më herët, të gjitha kërkesat e tij për zbutje të masës, në të tre shkallët e gjykimit, janë refuzuar.



Skip to toolbar