Ekipi i basketbollit të Flamurtarit për Femra ka fituar Superkupën e Shqipërisë, duke mundur rivalet e Sh.B. Tiranës, në ndeshjen e luajtur në qytetin e Vlorës. Ndeshja ka përfunduar 62-58, ndërsa Superkupa bëhet i pari trofe sezonal për ekipin e Flamurtarit në basketboll për femra.
Në këtë finale morën pjesë ekipi kampion në fuqi (Flamurtari) dhe ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë (Sh.B.Tirana). Për vlonjatet e trajnerit Toska ky trofe është një hakmarrje ndaj Sh.B.Tiranës, pas dështimit në Kupën e Shqipërisë, në shkurt të këtij viti.
Ndeshja ka qenë gjatë gjithë kohës e ekuilibruar, ku herë udhëhiqte njëra skuadër e herë tjetra. Deri në fund sfida ka qenë e hapur, me emocione dhe rivalitet, ndërkohë që niveli nuk ka qenë ai që pritej dhe gabimet e lojtareve të shumta.
Duket se të dyja ekipet e ndjenë presionin e kësaj sfide të rëndësishme, që ishte një test para gjysmëfinaleve të play off-it, që nisin këtë fundjavë, ku këto dy ekipe do të përballen sërish mes tyre. Nesër, në qytetin e Durrësit, do të luhet Superkupa e Shqipërisë për meshkuj midis Tiranës dhe Teutës.