Baze: Albin Kurti po e bën Perëndimin më të urryer se Serbia, në Kosovë 

Më të fundit


Kosova tani po vuan nevojën e Albin Kurtit për të pasur një luftë. Nëse dikur Kosova kishte një luftë por i mungonte Albini, tani Albini do një luftë por nuk duhet ti shkoj pas Kosova.

Dështimi i një raundi bisedimesh nuk është ndonjë dramë e madhe, sikur ai të mos jetë qëllim. Ajo që ka ndodhur dje në Bruksel nuk ishte dështim i një raundi bisedimesh, por hapi i parë i një objektivi politik të Albin Kurtit, për ta zhvendosur konfliktin nga Beogradi në Bruksel.


Nëse shikon deklaratat e sotme të Kurtit dhe stafit të tij, ata kanë një vetëndjerje krenarie për atë që ka ndodhur dhe vazhdojnë t’i kërkojnë llogari Borellit dhe Evropës. 

Pra jo vetëm që nuk ka një reflektim për spiralen ku po hyjnë, por ka një qartësi të objektivit të tyre, se beteja kundër Beogradit, fitohet duke mundur Perëndimin, duke e bërë kështu automatikisht Evropën aleate të Serbisë.

Pra drama nuk është se dështon një seancë bisedimesh. Drama qëndron tek fakti se udhëheqja politike e Kosovës në pushtet, po e trajton Bashkimin Evropian, Britaninë e Madhe dhe SHBA, si aleatë të Serbisë. Kjo qasje i legjitimon ata pastaj që betejën të mos ta zhvillojnë më me Beogradin, por me Brukselin dhe Uashingtonin.

Kjo qasje është e rrezikshme për Kosovën, së pari se nuk është e vërtetë. Dhe çdo politikë e ngritur mbi të pavërteta dhe mbi gënjeshtra populiste të fut në qorrsokak.

Të shpallësh Perëndimin aleat të Serbisë, një shtet të cilin e ka bombarduar për shkak të Kosovës, dhe pastaj të ndërtosh strategji politike si mund të luftosh Perëndimin si aleat i Serbisë, bazuar në gënjeshtra dhe paranoja, është një marrëzi që buron nga qëllime të qarta populiste për të hyrë në histori si “Viktimë” e luftës së Perëndimit ndaj Kosovës.

Nga ana tjetër, kjo qasje është e rrezikshme për Kosovën, pasi edhe si gënjeshtër i bën boll punë Serbisë, e rehabiliton atë në sytë e Perëndimit dhe krijon një imazh pozitiv për qasjen që kanë në dialog. 

Mjafton të shikosh se si Vuçiq, i cili në fakt është nxitës i largimit të serbëve ndaj institucioneve, përgjërohet që ata të kthehen në institucione, ndërsa Kurti, që vuan pasojat e këtij largimi, sillet sikur është gëzuar që i kanë ikur, se mund të gjejë të tjerë. 

Përfaqësimi politik i serbëve në veri, nuk është çështje numrash dhe serbët nuk kanë dy alternativa kombëtare në Veri. Ata kanë vetëm një dhe ajo është komandohet nga Beogradi.

Megalomania e Kurtit dhe Osmanit, që bëjnë sikur do gjejnë serb të tjerë të mirë të bashkëpunojnë me ta, të kujtojnë Slobodan Miloshevicin e fund viteve ’80, kur gjente shqiptarë “të mirë” në Kosovë për të përfaqësuar Kosovën në Serbi. Por Miloshevici kishte fuqi dhe e bënte atë teatër. Kurti as teatër nuk ka fuqi të bëjë.

Së fundmi, qasja që Perëndimi është aleat i Serbisë, krijon një perceptim të pavërtetë për Kosovën si vend primitiv, që nuk është në një gjatësi vale me Perëndimin dhe bën të besueshme çdo akuzë ndaj saj, përfshi dhe akuzat fals për keqtrajtim të pakicës serbe.

T’i heqësh vendit tënd certifikimin si vend aleat me Perëndimin dhe t’ia japësh me zor një vendi si Serbia, do të thotë të certifikosh Serbinë si vend perëndimor, ose të konsiderosh Perëndimin një sistem diktatorial, racist, pro rus etj. 

Tani Albin Kurti mund të zgjedhë kë të dojë nga këto opsione, por një gjë e ka arritur në krye të qeverisë së Kosovës, duke e zhvendosur konfliktin Kosovë-Serbi në konflikt Kosovë-Perëndim. 

Sot në fjalorin politik të Kurtit dhe mbështetësve të tij, Josif Borreli është më i urryer se Vuçiqi dhe SHBA e BE më të rrezikshme se Rusia. Dhe e gjithë kjo, në emër të “patriotizmit” shqiptar.

Me sa duket shpresa e vetme e Albin Kurtit për të hyrë në histori është të mbijetoj përmes konfliktit permanent, që justifikon dështimet në qeverisje, një politikan që i trembet normalizimit, dhe betejave në një shoqëri normale.

Kosova tani po vuan nevojën e Albin Kurtit për të pasur një luftë. Nëse dikur Kosova kishte një luftë por i mungonte Albini, tani Albini do një luftë por nuk duhet ti shkoj pas Kosova.




Skip to toolbar