Partia Demokratike ka një javë kohë të përzgjedhë 61 kandidatët e saj për bashki, pasi Sali Berisha refuzoi bashkëpunimin me ta. Ai nuk lejoi që kandidatët e primareve të mbështeteshin prej PD.
Vendimi i Berishës, i cili pranon të futet në çdo vrimë, por jo nën siglën e PD, tregon se ai betejën për jetë a vdekje nuk e ka me Edi Ramën, por me “armiqtë e brendshëm” në PD, të cilët nuk pajtohen me axhendën e tij anti-perëndimore.
Në këto kushte, Partia Demokratike gjendet para faktit të kryer të një ndarje historike me Berishën dhe mbështetësit e tij, dhe prej tani duhet të mendojë veten si një parti që duhet të mbijetojë në spektrin politik shqiptar, si trashëgimtare e PD dhe anti-berishizmit njëkohësisht.
Pasi i doli borxhit kandidatëve të Berishës për t’iu ofruar logon zyrtare të PD dhe mbështetësit anti Berishë të opozitës, tani PD nuk ka më përgjegjësi për rezultatin e tyre. Përkundrazi, ajo duhet t’i bëjë ata të ndjejnë se cili është çmimi i përçarjes që Berisha ngjalli në opozitë dhe pse duhet ta paguajnë dhe kandidatët e primareve këtë çmim.
Përpjekjet e Berishës për t’i kompleksuar si fajtorë për humbjen e tij, nuk pinë më ujë. Berisha provoi se ai ishte i interesuar për përçarjen dhe e bëri atë fakt të kryer. Tani ai duhet të marrë përgjigjen në zgjedhje për këtë akt të tij.
Nuk ka rëndësi sa për qind të votave merr PD në këto zgjedhje. Këto nuk janë zgjedhje në të cilat PD u përgatit të hynte e ndarë. Janë zgjedhje ku ajo deri javën e fundit luftoi për bashkimin.
Por çdo rezultat i këtyre zgjedhjeve, është një leksion për bashkimin e PD pas zgjedhjeve, pasi elektorati i Berishës të kuptojë se mes fitores së pushtetit apo “fitores” së Berishës, duhet të zgjedhin marrjen e pushtetit.
Nga ana tjetër, këto zgjedhje janë dhe një garë e re brenda Partisë Demokratike për të provuar figurat e reja që do të kontribuojnë në këto zgjedhje.
Pas zgjedhjeve, PD do të bëjë riorganizim për lidershipin e ri të saj, dhe këto zgjedhje do të jenë dhe një mundësi për të kuptuar se kush ka stofin e politikanit të ri opozitar, jashtë shkollës së Berishës.
Që pas zgjedhjeve të ketë një bilanc të qartë, PD duhet të hyjë në gare në çdo bashki dhe duhet të provojë që është një organizëm funksional, i cili do të ristrukturohet pas zgjedhjeve, duke pasur parasysh dhe aftësinë që do të dëshmojë në këtë fushatë secili politikan në qendër apo kandidat në bazë.
E vetmja rrugë për të bashkuar PD në të ardhmen është rezistenca e tanishme e PD për të shërbyer si një digë që mban të bashkuar elektoratin e zhgënjyer nga Berisha.
PD nuk do të mund të bashkohet kurrë dhe do mbetet përjetësisht një çetë e Berishës, nëse PD zyrtare në këto zgjedhje nuk reziston, nuk funksion dhe nuk provon që ka një elektorat të saj, pa të cilën e ardhmja e PD është e vdekur.
Vetëm kështu ata mund ta detyrojnë Berishën të ndalë aventurën e tij për të përdorur elektoratin e PD si çetë talibanësh kundër Perëndimit dhe ta detyrojnë të shkojë aty ku e ka vendin.
Nuk ka të të ardhme të bashkuar të PD, pa provuar ndarjen në këto zgjedhje. Çdo gjë tjetër nuk do të jetë bashkim në të ardhmen, por dorëzim para Berishës.
Dhe ka mijëra demokratë që në vend të dorëzimit para Berishës, zgjedhin të rrinë në shtëpi apo të shikojnë veten në parti te tjera. E vetmja rrugë që ata t’i mbash të bashkuar dhe në dispozicion të bashkimit të PD në të ardhmen, është t’i mbash në garë jashtë Berishës.