Baze: Pse opozitarët shpresojnë që Berisha i mbron nga drejtësia? 

Më të fundit


Nuk e shkoj si problem shumë të rëndë, pse brenda opozitës po krijohen dy standarde për sjelljen ndaj drejtësisë së re, pasi kjo është traditë e vjetër e tyre. Gjithmonë për ta, drejtësia përshëndetet kur dënon zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshi ministra dhe deputetë, siç ka bërë deri tani, dhe një standard tjetër që po bie shumë në sy në rastin e akuzave ndaj deputetit Salianji, ku drejtësia paragjykohet se “mos dënon Salianjin” se kjo pastaj quhet krim. 

Por më e dëmshme se kjo është vetë sjellja e deputetit të akuzuar. Ai mes PD zyrtare, e cila përmes Alibej ka bërë një deklaratë të gabuar pro tij, duke kërkuar të shkojnë deputetët në sallë në shenjë presioni ndaj gjykatësve, dhe Berishës, që në fakt e ka injoruar fare hallin e tij, ai po përpiqet të joshë Berishën, me veprime konsomolasi, me shpresë se presioni i Berishës mbi gjykatat, funksionon. 


Nëse vë re deklaratat e deputetit të akuzuar, ai sillet si njeriu i mirë Lej Fen, që para se të ketë mendjen tek gjyqi i tij, e ka mendjen tek protesta e 7 Korrikut e Berishës, për t’i treguar atij, se nëse e kërkon nevoja, ai është gati të shkojë në burg për Berishën, duke e injoruar fare gjyqin dhe duke u marrë me hallin e Berishës. 

Ky mentalitet që e bën më qesharak se sa duket në të vërtetë gjithë kjo fabulë, buron nga fakti se deputetët e PD, përfshi edhe ata që nuk e duan Berishën, besojnë se ai e tremb drejtësinë, mjafton të bëhesh me të.  

Rasti i Salianjit është tipik. Ai nuk e do Berishën, natyrisht as palën tjetër dhe po eksperimenton të mbijetojë duke bërë pazare me dy palët, por meqë tani ndodhte para një vendimi gjyqi që mund ta burgosë, ai bëhet pa kushte me Berishën, madje me një përkushtim të neveritshëm ndaj hallit të Berishës në datën 7 korrik. 

Vet Alibej, formalisht ka bërë më shumë se Berisha për të, madje dhe më keq se Berisha, pasi ka premtuar të rikthejë skenat e gjyqeve të 21 janarit, kur gardistët mbushnin sallën e gjyqit dhe familjet e viktimave rrinin jashtë, derisa të shpallej i pafajshëm vrasësi. 

Por ideja që Berisha është ai që tremb gjykatat dhe jo Alibej, e ka bindur Salianjin që nderin t’ia kërkojë Berishës, duke ju betuar se është gati të bëjë çdo gjë për datën 7, kur ka hallin Berisha.  

Të presim tani çfarë hakërrime do të lëshojë Berisha mbi gjykatësin, dhe çfarë dënimi do t’i caktojë gjykatësit më 7 korrik, nga populli i 7 korrikut, nëse e dënon deputetin në fjalë. Salianji atje i ka sytë, si çdo njeri i rrezikuar nga drejtësia. Dhe Berisha patjetër do të bëjë diçka. Por Zoti mos ë vëntë në provë që të dënojë Salianjin, se pastaj do kuptohet që nuk ka çfarë t’i bëj gjyqtarit. 




Skip to toolbar