Baze: Të gjithë opozitarët duke përgjuar njëri tjetrin 

Më të fundit


Debati rreth zgjedhjes së Presidentit të ri të Shqipërisë ndoshta nuk do të ishte kaq i zjarrtë, edhe për shkak të profilit të ulët publik të tij, po qe se opozita nuk do ishte kjo që është dhe në luftë të përhershme brenda vetes. 
Debatin kryesor e ka shkaktuar sjellja atipike e Ilir Metës, i cili ndryshe nga sa e ka mësuar opozitën duke gjetur “gjilpërë në kashtë” sa herë që ka pas në dorë të firmosë diçķa, këtë herë bëri të kundërtën . 
Kjo shkaktoi paranojën kryesore të zgjedhjes së presidentit. Nuk i shqetëson emri i tij dhe as profili publik i Presidentit, por gatishmëria e Ilir Metës për ta firmosur dekretin. 
Frika se Ilir Meta po flirton me Edi Ramën, apo më keq akoma që Ilir Meta ka pasur komunikim me Edi Ramën para se ta zgjidhte Presidentin, është paranoja dominuese e këtij debati. 
Sali Berisha duket që është ndjerë i tradhtuar nga Ilir Meta, jo pse dekretoi shkarkimin e gjeneralit, por se beson që Ilir Meta ka pasur informacione për kandidaturën para se të bëhej publik. Dhe kjo e bën Berishën të ndjehet tanimë i izoluar jo vetëm nga SHBA, Evropa, shumica në pushtet, por dhe aleati kryesor i tij. 
Po ashtu opozita formale nën siglën e PD udhëhequr nga Alibej, u fut në këtë proces qysh në fillim e kompleksuar nga Sali Berisha. Sa herë bërtiste Berisha mos bisedoni me Edi Ramën ata tërhiqeshin dhe bënin propozime qesharake siç ishte negociata në transmetime live në televizion, si ato femrat e turpshme që kur dalin në takimin e parë duhet të marrin dhe mamanë me vete. 
Dhe kompleksimi nga Berisha vazhdoi deri në fund, duke deklaruar bojkotin nga seanca nga frika se mos rridhte ndonjë votë dhe Berisha i akuzonte si bashkëpunëtorë. 
Vetë Berisha po ashtu u kompleksua në fund nga gjesti i Ilir Metës dhe ndërsa dy orë më parë akuzonte Alibej pse bojkoton seancën, e bojkotoi vetë dhe atë. 
Opozitarët e tjerë parazitarë të dalë nga listat e PD, po ashtu u mërzitën pse nuk u dha njeri rastin për ndonjë pazar dhe dolën të dëshpëruar. 
I vetmi opozitar që nuk duke i mërzitur nga procesi mbetet Ilir Meta dhe LSI. 
E gjithë kjo turbullirë opozitare, nuk ka lidhje me Presidentin Bajram Begaj dhe as profilin e tij. Ka lidhje me pafuqinë e opozitës për të qenë bashkë dhe e qartë në strategjinë e saj në këtë proces. Dëshpërimi vjen pikërisht nga ky organizim opozitar dhe ngaqë nuk din se ku ta zbrazin inatin, fillojnë e shajnë presidentin e ri.  
Ka boll kohë për të sharë presidentin, pas 24 korrikut, por tani për tani, përpiquni të mos shani njëri tjetrin. Mjafton si hap i parë që të mos dukeni kaq të dëshpëruar si qengjat para Kurban Bajramit. 





Skip to toolbar