Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se takohet shpesh me presidentin Meta dhe se shumë herë pijnë kafe bashkë.
“Unë me Metën takohem shpesh. Unë i shkoj në zyrë, ai vjen në zyrë, mund të takohemi dhe në kafe. Unë s’kam asnjë kompleks në këtë aspekt”, tha Berisha të enjten në mbrëmje në emisionin “Opinion”. Po ashtu ai mbrojti Metën, duke deklaruar se presidenti tentoi të zgjidhte krizën përmes dekretit për anulimin e 30 qershorit.
Berisha gjithashtu i ka dërguar dhe një mesazh Bashës teksa foli për zërat në rritje për një marrëveshje të dytë Basha-Rama.
Sipas Berishës, opozita nuk mund të bëj asnjë hap të vetëm për marrëveshje me Partinë Socialiste apo me Ramën. Përkundrazi e vetmja rrugë e opozitës është rrëzimi i qeverisë së Ramës.
“Një koalicion i tillë do të jetë një goditje për sistemin shqiptar, sepse s’mund ta quajmë më demokratik, për të varrosur përfundimisht sistemin shqiptar. Një koalicion i tillë do të shuante çdo shprese të shqiptarët për të rimarrë rrugën e ligjit, e standardeve. Standardet këtu kanë marrë fund, por problemi është se ka dhe më keq se nëse do bëhej një koalicion do përjetohej kilikosja e këtij sistemi narkoshteti.
Ajo ka vetëm një rrugë: largimin e PS me vullnetin e shqiptarëve”, është shprehur Berisha duke shuar të gjitha zërat se mund të ketë një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës.
Madje ish kreu i PD-së, bëri apel për nisjen e protestave të dhunshme dhe të mosbindjes civile.
“U takon qytetarëve t’i dalin për zot. Nuk janë më fjalët e Sali Berishës, as të opozitës. U takon atyre në jenë kryengritje të fuqishme dhe ta përmbysin këtë regjim. Opozita nuk është vetëvrarë, beteja vazhdon. Ose opozita garanton qytetarët të votojnë, ose ajo pastaj humbet çdolloj misioni. Opozita duhet të veprojë me metodat e mosbindjes civile, që janë në kufijtë e tolerancës së rezistencës, dhe rrugë tjetër përveç përmbysjes së këtij regjimi kakistokrat nuk ka. Ka filluar numërimi mbrapsht i ditëve të Edi Ramës. Populli opozitar duhet të mbytë sheshin, të mos lëshojë sheshin derisa t’ia mbathë Edi Ramën. Rama duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet e mosbindjes civile”, theksoi Berisha, duke ushtroi presion të hapur ndaj Bashës që të vijojë protestat dhe të mos mendojë për koalicion me Edi Ramën./realstory.al