Biden zbulon kushtin për të negociuar me Putinin

BOTA


Presidenti amerikan Joe Biden aktualisht nuk ka ndërmend të bisedojë me homologun rus Vladimir Putin, por është i gatshëm ta bëjë këtë nëse shefi i Kremlin-it vërtet tregon interes për t’i dhënë fund luftës që filloi në Ukrainë.

Këtë e tha Biden të enjten në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë pas vizitës shtetërore të presidentit francez Emmanuel Macron.


“Kjo luftë mund të përfundojë në një mënyrë racionale – nëse Putin-i tërheq trupat e tij nga Ukraina. Sigurisht, ai nuk do ta bëjë këtë. Për këtë, ai pagoi një çmim të lartë, kreu një masakër të pabesueshme kundër popullatës civile të Ukrainës – bombardoi kopshtet e fëmijëve. Spitale, strehimore për fëmijë, kjo që po bën është e neveritshme”, theksoi presidenti amerikan.

Biden vuri në dukje se nuk ka plane të flasë me Putin-in në të ardhmen e afërt.

“Më lejoni të jem shumë i kujdesshëm: Unë jam gati të flas me Putinin nëse ai është vërtet i interesuar të gjejë një zgjidhje se cila mund të jetë rruga për të dalë nga kjo luftë. Ai nuk e ka bërë këtë ende. Unë jam në konsultim me miqtë e mi nga Franca dhe NATO, do të jem gati të ulem në tryezën e bisedimeve me Putinin për të gjetur se çfarë dëshiron dhe çfarë ka në mendjen e tij”, shtoi ai.

Deri në atë moment, kreu amerikan vuri në dukje, “ne duhet të mbështesim popullin ukrainas dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme”.

“Vetë ideja që Putini mund ta mposht Ukrainën është e paimagjinueshme”, theksoi Biden.

Kujtojmë se të mërkurën Macron mbërriti në Washington për vizitën e dytë shtetërore në SHBA gjatë presidencës së tij.

Në një deklaratë të përbashkët, të dy liderët dënuan agresionin rus në Ukrainë dhe i premtuan kësaj të fundit për të ndihmuar aq sa është e nevojshme.




Skip to toolbar