Bindja Demokratike e vetmja parti opozitare që mori pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit ka paditur Komisionin Qendror Zgjedhor pranë Kolegjit Zgjedhor për shkak se nuk ka pranuar kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve në Kurbin.
Bindja Demokratike kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve me 76 Qendrat e Votimit të Kurbinit.
Përfaqësuesit e BD me në krye Astrit Patozin, pretendojnë se 30 qershori ka qenë një proces i cunguar që çoi në deformimin e votës. Që në fillim ata kanë bërë një kërkesë që të kishin komisionerët dhe numëruesit e tyre, por kjo i është refuzuar nga KQZ, duke ia kaluar shoqërisë civile.
Kjo është padia e parë në Kolegjin Zgjedhor pas zgjedhjeve të 30 qershorit.
Bindja demokratike gjithashtu kërkoi rinumërim të votave në qarkun e Sarandës por edhe kjo kërkesë e saj u rrëzua nga KQZ me argumentin se nuk ka prova të mjaftueshme për manipulim votash. Tani pritet vendimi i Kolegjit Zgjedhor në lidhje me kërkesën e Bindjes Demokratike, i cili do të jetë dhe vendim i formës së prerë.