Ndryshimi i rregullores për arrestimin e deputetëve, Alimadhi braktis mbledhjen

Më të fundit


Komisioni i ligjeve i është rikthyer të premten diskutimit për ndryshimin e rregullores, që konsistojnë në ndryshimin e dy neneve për autorizimin për arrestimin e deputetëve dhe për përcaktimin e kohës së diskutimit në parlament, por kjo ka sjellë debate mes mazhorancës dhe deputetëve të rinj të opozitës, të cilët kanë kërkuar kohë të njihen me propozimet. Megjithatë, kërkesa e kreu të grupit parlamentar të partive të djathta, Adriatik Alimadhi, është rrëzuar, kështu që ai braktisi mbledhjen.

Në fakt, diskutimi u përqendrua mbi pretendimet e Alimadhit se opozita e re nuk është njohur me propozimet për rregulloren. Përgjigjen e mori nga deputetët e mazhorancës, Bashkim Fino Vasilika Hysi dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Sipas tyre, deputetët e rinj i kanë pasur propozimet në tryezë prej kohësh, ndërsa shumica e tyre janë propozime nga opozita tashmë jo parlamentare, konkretisht nga ish-deputeti Enkeleid Alibeaj. Megjithatë, Manja tha se opozita e re i ka mundësitë për të bërë propozime konkrete dhe të mos merret me të shkuarën.


Debati

Alimadhi: Do kërkoja nëse deputetët e opozitës kanë bërë propozime, ne të njiheshim me ato.

Hysi: Projekti i ndryshimeve në rregullore është një punë 2 vjeçare. I kemi çuar çdo deputeti projektin më shumë se një herë.

Alimadhi: Jemi deputetë të rinj, por ju nuk na sillni propozimet e opozitës

Fino: Ka 2 vjet që punohet, një pjesë e mirë e propozimeve janë të Alibeajt. Nuk mund të vijnë deputetët e rinj në mbledhjen e fundit të rregullores te kërkojnë nisjen nga fillimi. Keni 6 muaj që keni ardhur, materialet këtu i keni pasur.

Alimadhi: Këtë material nuk e kam pasur, nuk e kuptoj çfarë problemi ka që nuk na vihen në dispozicion.

Manja: Miratojmë rregulloren në tërësi, kërkoni propozime të kohës së shkuar. Opozita ka deputetët në seance dhe keni mundësinë të bëni propozime konkrete, nuk keni pse merreni me të shkuarën.

Por deputeti Adriatik Alimadhi kërko shtyrjen e mbledhjes së komisionit të Ligjeve, kërkesë që u rrëzua, çka detyroi Alimadhin të largohet nga mbledhja.

Manja: Rrëzohet propozimi, vijojmë me rendin e ditës.

Alimadhi: Kanë bërë mirë ata që janë larguar. Nuk respektohet asnjë propozim.

(Alimadhi largohet nga mbledhja)

Një ditë më herët, Partia Socialiste është tërhequr nga propozimi i bërë në fillim të vitit 2018-ës për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit që bënte të detyrueshme nga ana e Prokurorisë paraqitjen e provave për të marrë nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e deputetëve në rast të shkelje të ligjit. Kjo nismë u propozua një vit më parë nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, por Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja u shpreh se PS-ja është tërhequr për të shmangur debatin politik. Me gjithë tërheqjen e PS-së nga ky propozim dy nenet e rregullores së Kuvendit, 118 dhe 119 për autorizimin për arrestimin e deputetëve u la të ndryshohej në mbledhjen e radhës për të reflektuar ndryshimet Kushtetuese. Pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe amendimi i nenit 48 të Rregullores, lidhur me përcaktimin e kohës së diskutimit në Kuvend. Kohëzgjatja e diskutimit do të jetë 10 minuta. Gjithashtu është specifikuar edhe rasti kur drejtuesi i seancës mund t’u ndërpresë fjalën deputetëve, kur janë jashtë rendit të ditës.




Skip to toolbar