Blofi i Berishës me avionët e drogës, Xhaçka: Fluturimet, stërvitje nga NATO

AKTUALITET


Ish kryeministri Sali Berisha ka dalë sërish blof me postimin e bërë të martën për trafikun e drogës përmes avionëve që fluturojnë nga Shqipëria drejt Italisë. Sërish duke iu referuar të dhënave të qytetarit “dixhital”, ish kryeministri e bën fakt të kryer trafikun e drogës me avionë, ndërsa hedh akuza ndaj qeverisë.

“Narkoflota Durres – Bari fluturon 2 herë në ditë! Eksporti i prodhimit te bollshem te ketij viti eshte perparesi e Edvin Mafise, gjeneral Hashashit dhe Ndrikull Xhaçkes! Shikoni videon e qytetarit dixhital.”- shkruan Berisha teksa poston video.


Ministria e Mbrojtjes ka reaguar duke bërë të ditur se avionët në të vërtetë i përkasin Greqisë dhe po bëjnë stërvitje policore nën koordinimin e strukturave të NATO-s.

“Në kuadër të realizimit të misionit të Policimit Ajror, në Hapësirën Ajrore të Republikës së Shqipërisë, më datën 20.08.2019,  në bashkëpunim  me CAOC – Torrejon, Spanjë nga pala Greke u zhvillua fluturimi  stërvitor “ Tango Scramble”, me tre avionë ushtarakë Tip F16.

Qëllimi i kësaj stërvitje ishte standartizimi i veprimeve luftarake të formacioneve fluturuese për zgjidhjen e situatave të ndryshme sipas skenarëve të paracaktuar.

Forca Ajrore nëpërmjet Qendrës së Kontroll  Raportimit realizoi koordinimin me strukturat e NATO-s, nëpërmjet bashkëpunimit me CAOC – Torrejon, Spanjë, me Albcontrol dhe me palën pjesëmarrëse në këtë stërvitje”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Kjo nuk është hera e parë që Berisha poston të tilla video. Edhe më herët ka bërë akuza të ngjashme që kanë rezultuar të pavërteta.




Skip to toolbar