Shkodra drejt zgjedhjeve, dorëzohet në KQZ dorëheqja e Pjetrit

AKTUALITET


Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia ka dorëzuar në KQZ dorëheqjen e kryetarit të bashkisë së Shkodrës Valdrin Pjetri, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Në dokumentin e depozituar në KQZ, Kadia ka argumentuar se fituesi i zgjedhjeve të 30 qershorit Valdrin Pjetri ka dhënë dorëheqjen. Ndërsa më tej duke u mbështetur në nenin 161 të Kodit Zgjedhor kërkohet prej KQZ që të përsëriten zgjedhjet në Shkodër.


Sipas nenit 161, është KQZ që duhet të shpallë pavlefshmërinë për votimet, por dhe duhet të zhvillojë zgjedhjet e radhës brenda 45 ditëve.

“Zgjedhjet e shpallura të pavlefshme dhe për të cilat KQZ-ja ka vendosur përsëritjen, sipas këtij neni, përsëriten në një ditë të vetme për të gjitha zonat zgjedhore ku është vendosur përsëritja e tyre. Vendimi për caktimin e datës për përsëritjen e zgjedhjeve merret nga KQZ-ja me përfundimin e procedurave ankimore, sipas kësaj pjese ose me kalimin e afateve ligjore të ankimit, të përcaktuara në këtë pjesë. Përsëritja e zgjedhjeve zhvillohet jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit”, shkruhet në Kodin Zgjedhor.

Pritet që anëtarët e Komisionit Zgjedhur të zhvillojnë një mbledhje dhe të shqyrtojnë kërkesën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Në bazë të Kodit Zgjedhur është KQZ, institucioni që vendos për përsëritjen e zgjedhjeve, duke mënjanuar presidentin, i cili procesin e 30 qershorit e konsideron të paligjshëm, dhe ka refuzuar të dekretojë datë tjetër për zgjedhje të pjesshme në Shkodër, pasi për të data e zgjedhjeve është 13 tetori, për të zhvilluar në mbarë vendin 3 procese zgjedhore, duke përfshirë dhe zgjedhjen e presidentit nga populli.




Skip to toolbar