Bojkoti i futbollit, Liga i përgjigjet Ministrisë: Zgjidhja juaj, kontradiktore

AKTUALITET


Nuk ka vonuar përgjigjja e Ligës Profesioniste të Futbollit drejtuar qëndrimit të ministres së Financave, Anila Denaj dhe deputetit socialist Fidel Ylli, i zgjedhur si negociator nga kryeministri Edi Rama për zgjidhjen e ligjit të sportit që ka krijuar një ngërç, kryesisht në futboll.

Sipas Ligës, dalja e deputetit Ylli përpara mediave nuk i dha përgjigje një sërë pyetjesh të cilat janë themelore për komunitetin e këtij sporti. Duke u përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Dritan Kadia, Liga e Futbollit i drejton Fidel Yllit disa pyetje. Përse nuk përmbushen derisa konsiderohen të drejta kërkesat? A janë të njohura prej kohësh këto kërkesa për qeverinë? Përse kërkohet dialog mes Ligës dhe Ministrisë kur, sipas deklaratës së fundit, qeveria është kundër kërkesave?


Këto janë pyetjet që shtron Liga dhe që kërkon të vërë në dukje kontraditën në përgjigjet e autoriteteve. Klubet shqiptare të futbollit i kërkojnë qeverisë të ndryshojë ligjin e sportit dhe të hartojë një të tillë si në asnjë vend ballkanik apo evropian. Ose në rastin tjetër të miratohet ligji që funksionon në Hungari, Gjermani, Maqedoni apo në Kosovë.

Liga e mbyll përgjigjen e saj duke e lënë të hapur mundësinë e bisedimeve, por, sipas saj, produktivitet do të kishte vetëm një takim ballë për ballë i presidentëve të Superiores me kreun e qeverisë, kryeministrin Edi Rama, sikurse në marsin e vitit të kaluar.




Skip to toolbar