Bundestagu gjerman voton sot për Shqipërinë. Drejt “PO” për BE

AKTUALITET


Bundestagu gjerman do të votojë pasditen e së enjtes (sot) për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE dhe të gjitha gjasat janë që vota e deputetëve gjermanë të jetë pozitive. Sinjalin e parë e dha grupi parlamentar CDU-CSU në rezolutën e miratuar të martën ku kërkoi mbështetjen e Shqipërisë në procesin integrues dhe çeljen e negociatave duke vendosur 9 kushte që duhen plotësuar nga vendi ynë në vijimësi.

Vota pro e parlamentit gjerman pritet të ndikojë pozitivisht edhe tek vendet e tjera europiane që janë ende skeptike për këtë vendim, kryesisht Franca dhe Holanda, por për këtë duhet të presim vendimin e 18 tetorit ku Këshilli i Europës do të vendosë përfundimisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.


Sipas axhendës, Bundestagu gjerman do të mblidhet në seancë në orën 15.00 dhe një ndër pikat në rend dite është miratimi i kërkesës së grupeve parlamentare CDU/CSU dhe SPD për “Marrëveshjen e përbashkët e Bundestag-ut dhe Qeverisë Federale mbi kërkesën për anëtarësim të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbi rekomandimin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësueses së Lartë të datës 29 Maj 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit”.

Në këtë kërkesë bëhet e ditur se më 29 maj 2019, Komisioni Europian paraqiti një raport mbi përparimin e Shqipërisë ku theksohet se janë përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. “Komisioni rekomandon në këtë raport çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Këshilli Evropian vendosi më 20 qershor 2019 që të marrë një vendim thelbësor sa më shpejt të jetë e mundur dhe jo më vonë se Tetori 2019 për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.

Në letrën e saj të datës 6 shtator 2019, Qeveria Federale i kujtoi Bundestagut gjerman që Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme më 15 tetor 2019 si dhe Këshilli Evropian më 17 dhe 18 Tetor duhet të vlerësonin përparimet e Shqipërisë dhe të vendosnin për hapjen e negociatave të pranimit në BE. Qeveria Federale i ka referuar Bundestagut gjerman mbi të drejtën e tij për të komentuar vendimet për hapjen e negociatave të pranimit në BE. Sipas nenit 9 të Ligjit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë Federale dhe Bundestagut gjerman në çështjet e BE-së, Qeveria Federale duhet të ketë dakordësi me Bundestagun gjerman përpara se ajo të japë miratimin e saj për negociatat e pranimit”, shkruhet në kërkesën e grupeve parlamentare.

Më pas renditen edhe disa kushte të tjera që duhet të plotësojë Shqipëria siç janë ngritja dhe funksionimi i institucioneve të drejtësisë si dhe nisja e dialogut politik për të zgjidhur krizën në vend.

“Shqipëria është në një krizë politike te brendshme te rende. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”, apelojnë deputetët gjermane.

Në kuadër të këtij apeli politikanët shqiptarë ndërmorën të mërkurën hapin e parë drejt vendosjes së dialogut politik duke u ulur të gjithë në një tryezë të organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore. Pavarësisht debateve dhe kundërshtive e rëndësishme është se dialogu ka startuar dhe kjo është një shenjë pozitive për çeljen e negociatave./realstory.al




Skip to toolbar