Partizani thyhet nga Bylis, dy titullarë humbin derbin

SPORT


Java e 14  e Superligës ka nisur me një surprizë të madhe, pasi Partizani kampion në fuqi është mposhtur me shifrat 1-2 në transfertë nga Bylisi. Ballshiotët do të merrnin epërsinë shumë shpejt pas autogolit të Belicës në minutën e gjashtë, ndërsa Partizani pas disa tentativave do të barazonte me Jurgen Bardhin, duke dhënë përshtypjen se këtë ndeshje mund ta fitonte.

Ndërkohë atëherë kur nuk pritej, në minutën e 54 Guido realizoi golin e dytë për Bylisin, një gol që do rezultonte vendimtar deri në fund. Me këtë sukses, Bylisi ngjitet në kuotën e 23 pikëve, dy më pak sesa Partizani kryesues.


Por më shumë sesa humbja e pësuar, që nuk ua cenon kryesimin e renditjes, dhembin kartonët ndaj Brojës dhe Telushit, dy mesfushorët titullarë që humbasin derbin ndaj Tiranës. Mungesa e tyre vë në hall të madh trajnerin Lerda, që veç paraqitjes së dobët të të tijve, duhet të arnojë dhe skuadrën në prag të takimit më të rëndësishëm të kampionatit.

Ndërkohë takimi tjetër i orës 13:30, i zhvilluar në Gjirokastër mes Luftëtarit dhe Vllazninë ka përfunduar 0-2 në favor të shkodranëve. Një fitore shumë e rëndësishme për Vllazninë e Mirsad Jonuz, që ka dalë me pikë të plota nga ndeshja me Luftëtarin, në një transfertë delikate ku nuk fitonte prej shumë vitesh.

Në Gjirokastër Luftëtari ka rezistuar ndaj Vllaznisë deri në minutën e 85-të, kur Malota me kokë shënon nga brenda zonës për epërsinë e shkodranëve, që kanë dyfishuar në kohën shtesë me Likën për tre pikë të arta që e ngjisin Vllazninë në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Luftëtari mbetet i parafundit me 8 pikë.




Skip to toolbar