Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, që po merr pjesë në Samitin e Poznanit shprehet se ky samit duhet të përfundojë me një mesazh të fuqishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë në tetor.
Ai thotë se bashkëpunimi rajonal megjithëse është i rëndësishëm, nuk e zëvendëson procesin e anëtarësimit në BE.
Duke marrë pjesë në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Ministrat e shteteve anëtare të BE-së, mbështetëse të Procesit të Berlinit, Cakaj kërkon që vendet pjesëmarrëse të shprehen qartë në mbështetje të hapjes së negociatave me Shqipërinë.
“Platforma e bashkëpunimit rajonal ka dhënë rezultate konkrete sidomos në fushën e ndërlidhjes, lëvizjes dhe digjitalizimit deri tani. Sidoqoftë, këtu vlen të nënvizohet se platforma zhvillimore e bashkëpunimit rajonal, përkundër dobisë madhore të saj, nuk mund të zëvendësojë procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Samiti i Poznan duhet të përfundojë me një mesazh të fuqishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë në tetor”, shkruan Cakaj në Facebook.
Ai thotë se shoqëria civile duhet me doemos të jetë e përfshirë në strukturat negociuese në rrugën e integrimit evropian.
“Fuqizimi i shoqërisë civile si mekanizëm i patjetërsueshëm i nxitjes së ndërveprimit rajonal. Nisma sikurse a) RYCO dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor janë duke pasur një ndikim mjaft pozitiv në procesin e pajtimit ndëretnik në Ballkan; b) marrëveshja për uljen e çmimeve të shërbimeve të roaming, njohja e diplomave dhe kualifikimeve akademike dhe mbështetja e nismave të tjera në shërbim të aftësive teknologjike dhe digjitale do të kenë një efekt të konsiderueshëm në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm profesional dhe ndërveprimit të thellë doganor në nivel rajonal; c) përfshirja e shoqërisë civile në strukturat negociatore të interesit nuk është thjesht vlerë e shtuar por një detyrim themelorë i rrugëtimit evropian”, shkruan Cakaj.
Në samitin e Proznan merr pjesë edhe kryeministri Rama dhe kancelarja gjermane Merkel përpos liderëve të vendeve të tjera të Ballkanit.