Çlirimi i Tiranës, Braçe sulmon PD: I shpalli luftë SHBA! Veliaj: Sabotojnë punët e mira

POLITIKË


17 nëntori shënon 75-vjetorin e çlirimit të Tiranës ku Bashkia e Tiranës ka zhvilluar një ceremoni përkujtimore te monumenti i Partizanit të Panjohur. Gjatë ceremonisë zhvilluan homazhe dhe mbajtën një fjalë përshëndetëse edhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, zëvendëskryeministri Erjon Braçe dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Erjon Braçe gjatë fjalës së tij pasi vlerësoi luftën e LANÇ për çlirimin e kryeqytetit sulmoi Partinë Demokratike dhe opozitën, kur tha se po i shpallin luftë SHBA-së dhe Perëndimit për pushtet dhe për t’iu shmangur drejtësisë. Braçe tha se, sot ka parti që punojnë për interesat personale, kundër aleatëve të Shqipërisë, SHBA, Britanisë apo Francës.


“Dua të përmend edhe njëherë se ka pasur qeveri që kanë bashkëpunuar me fashizmin në këtë vend. Këto qeveri të quajtura shqiptare që vareshin nga pushtuesi i shpallën luftë SHBA, Francës, Britanisë, etj. Sot ata po përsërisin veten. Sot për interesa partiake, dhe për pushtet, i shpallin sot luftë Francës, SHBA dhe gjithë perëndimit. Thjesht dhe vetëm se duan pushtet.

Edhe atëherë kur pushteti u bë bashkë me fashizmin, sot u bënë kundër vendit. Sa herë duan pushtet, i bëjnë dëm popullit dhe shmangin drejtësinë që i shërben njerëzve të zakonshëm dhe që i vë të gjithë të barabartë para ligjit. Ata e meritojnë nderin dhe respektin tonë që dhanë jetën për këtë vend. Për flasim dhe Atdhe, meritojnë nder dhe respekt.

Respekt të gjithë qytetarët e Tiranës që u bënë bashkë dhe luftuan fashizmin. Kush ka bërë zgjedhje që të jetë me fitimtarët, aty e ka vendin, në mbështetje të heronjve. Ata të tjerët të kërkojnë ndjesë për zgjedhjet që bënë këtu e 80 vite më parë” tha Braçe.

Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj nuk i kurseu akuzat për opozitën duke e akuzuar se ‘një minorancë po saboton Shqipërinë” dhe është kundër çdo pune të mirë që bëhet për vendin.

“Tirana është unike si i vetmi kryeqytet i vetëçliruar. Sot lipset, që të gjykojmë se ku jemi, shumë nga problemet nuk na kanë ardhur nga pushtuesit, por një minorancë brenda nesh. Sot do të shikojmë inaugurimin e stadiumit, por kujtoj betejën e kryeministrit atëherë. Punët e mira i pengojmë vetë, keq për Shqipërinë flasim vetë, po ashtu edhe sabotimin. Kur ne shqiptarët bëhemi bashkë nuk ka betejë që nuk e fitojmë. Kërkohet nga secili mos i bëjmë vetes atë që nuk e kanë bërë edhe pushtuesit. Të japim më të mirën për integrimin. Vetëm së bashku mund ta ndërtojmë një kryeqytet modern. Ka ardhur koha të bëjmë një bilanc dhe të projektojmë 100 vitet e tjera. Shpresoj që secili ta vërë një flamur kuqezi në dritare” tha Veliaj.




Skip to toolbar