Daja, sërish te Skënderbeu: Moment i vështirë, nuk mund të jemi lokomotiva

SPORT


Trajneri Ilir Daja është prezantuar të enjten te Skënderbeu, duke u rikthyer për herë të dytë në drejtim të korçarëve, ndërsa në herën e parë ka arritur shumë suksese, duke llogaritur edhe pjesëmarrjen në grupet e Europa League. Megjithatë, këtë herë situata është e ndryshme dhe bardhkeuqtë janë në vështirësi. Këtë Daja e di mirë, ndaj në fjalën e tij trajneri theksoi se nuk mund të pretendojnë të jenë lokomotiva e garës, ndërsa shtoi se rikthehet edhe për të dhënë kontributin e tij ën këtë moment të vështirë.

“Kam kaluar këtu kulmin e karrierës, kemi bërë gjithçka brenda një edicioni, duk pasur parasysh titullin, Kupën dhe Europa League. Këtë radhë truri ka dëgjuar zemrën. Vendosa që me shumë respekt dhe vlerësim të marr përsipër të drejtoj Skënderbeun. Motivimi është i vështirë në këto kushte. Eksperienca më ka bërë që nuk më mungon pjesa e motivimit. Situata është e veçantë dhe të gjithë aktorët duhet të jenë pjesë e motivimit. Merkato duhet të nisë me lojtarin e 12, tifozët, që të jenë përkrah nesh. Kemi marrë garancinë edhe nga bashkia se skuadrës nuk do t’i mungojë asgjë. Europa është vitrinë, por ka edhe mënyra të tjera për të promovuar lojtarët. Kemi shembullin e Gurit dhe Abazaj”, tha tekniku Daja.


Sipas tij, ekipi nuk mund të dalë në objektiva konkretë, edhe pse ka një grup me eksperiencë. “Duhet kompletuar skuadra, por afati kohor është i limituar. Kemi pak mundësi zgjedhjeje. Po punojmë të afrojmë lojtarë cilësorë. Nuk mund të pretendojmë të jemi lokomotiva e garës, por aty afër. Politikat në futbollin shqiptar janë afatshkurtra. Nuk mund të bësh plane afatgjata. Ka qenë ndjesia e mrekullueshme që kam përjetuar në Korçë, ajo që më thirri nga brenda. Doja edhe unë të kontribuoja në këtë moment. Do të jemi konkurrues dhe jo vetëm sa për të plotësuar Superioren”, shpjegoi trajneri.

Po ashtu ai është pyetur edhe për një krahasim të mundshëm me me situatën te Flamurtari, por sipas tij nuk janë situata analoge. Daja shpjegoi se Skënderbeu ka tjetër problem. “Flamurtari vinte nga poshtë dhe kishte objektiv për t’u ngjitur lart. Këtu kemi të bëjmë me ekip elitar, që ka vendosur standarde edhe në prezantimin europian. Është edhe më e vështirë, por kur arrihen rezultate përmes vështirësive, kënaqësia është më e madhe”, deklaroi tekniku.




Skip to toolbar