Shpërthimi i gazit në Lezhë, ISHTI bllokon pikën e karburantit

AKTUALITET


Tre ditë pas shpërthimit të një depozite me 5 mijë litra gaz, ku mbetën të plagosur 7 persona mes tyre edhe dy fëmijë, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka vendosur të bllokojë pikën e karburantit në kryqëzimin e rrugës së Shënkollit përgjatë aksit rrugor Lezhë-Milot, për shkak të mos plotësimit të kushteve të sigurisë.

ISHTI ka deklaruar se në këtë karburant është bërë një kontroll para 4 muajsh, por nuk është gjetur asnjë parregullsi. Në reagimin e tyre lidhur me këtë ngjarje, ISHTI deklaroi se zjarri ka rënë në një depozitë me 5 mijë litra kapacitet depozitues dhe se 30 minuta pas ngjarjes është ngritur një grup pune për të verifikuar shkaqet. Ndërsa të martën, ISHTI tha se do të bëjë edhe bllokimin e pikës së karburantit pasi sipas tyre nuk ka pasur kushtet e nevojshme të sigurisë.


Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 24 gushtit rreth orës 22:10, ku një makinë është ndalur në karburant, për t’u furnizuar me gaz por në këtë moment ka shpërthyer bombola. Për pasojë kanë mbetur të plagosur 5 persona, nga një familje, mes tyre edhe dy vajza të mitura 5 dhe 2 vjeç, si dhe dy punonjësit e karburantit. Shkak për shpërthimin në karburant është bërë shkëputja e energjisë. Më pas kanë qenë ndezja e gjeneratorit që ka shkaktuar një shkëndijë dhe më pas shpërthimin e depozitës. Nga shpërthimi, i cili ka qenë i përmasave të mëdha, janë dëmtuar e djegur edhe disa automjete që ndodheshin të parkuara.




Skip to toolbar