Mediat spanjolle raportojnë se Matthijs De Ligt është pranë arritjes së marrëveshjes me Barcelonën, teksa sipas “Marca-s”, klubi katalanas ka gjetur akordin me Ajax për transferimin e talentit, që pritet të kryhet për një shumë prej 70 milionë eurosh.
Duket se gjithçka është në rrugën e duhur, por problemi i vetëm në këtë marrëveshje është agjenti i De Ligt, Mino Rajola. Sipas “Marca-s”, Rajola kërkon një komision prej 20 % të vlerës së transferimit për mbrojtësin holandez.
Përkthyer në shifra financiare, kjo vlerë shkon në 14 milionë euro, çka do të ishte një shumë e ekzagjeruar për tregun e transferimeve. Zakonisht agjentët përfitojnë nga 5 deri në 10% të shumës së transferimit të lojtarit, por Rajola kërkon të shfrytëzojë rastin, duke penguar transferimin e De Ligt drejt Barcelonës. Agjenti “famëkeq” është duke pritur oferta nga klube të tjera për të përfituar sa më shumë.
Klubi holandez shpreson të mbyllë këtë marrëveshje shpejt në mënyrë që të riinvestojë në skuadrën e tyre aktuale për sezonin e ardhshëm. “Unë mendoj se këto do të jenë ndeshjet e fundit të De Ligt me Ajax”, tha shefi ekzekutiv i klubit, Edwin Van der Sar, pas ndeshjes me Tottenham. “Unë mendoj se ai do të shkojë në Angli apo Spanjë.”