Dokumentet e sekuestruara të Trump përshkruanin aftësinë bërthamore të një vendi të huaj

AKTUALITET


Një dokument që përshkruan mbrojtjen ushtarake të një qeverie të huaj, duke përfshirë aftësitë e saj bërthamore, u gjet në kontrollin e FBI-së muajin e kaluar në shtëpinë e ish-presidentit amerikan Donald Trump në Florida.

Kjo, sipas një raporti të botimit amerikan “Washington Post”.


Gazeta amerikane, e cila citoi njerëz të njohur me këtë çështje, nuk identifikoi qeverinë e huaj të diskutuar në dokument, as nuk tregoi nëse qeveria e huaj ishte miqësore apo armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara.

Përfaqësuesit e Trump-it dhe Departamenti i Drejtësisë nuk u përgjigjën menjëherë ndaj kërkesave për koment nga agjencia e lajmeve Reuters.

FBI gjeti më shumë se 11 mijë dokumente dhe fotografi qeveritare gjatë kontrollit të saj më 8 gusht në Mar-a-Lago, sipas të dhënave të gjykatës.

Sipas raportit të WP-së, disa nga dokumentet e sekuestruara detajuan operacionet tepër sekrete të SHBA-ve që kërkonin leje speciale.

Disa nga dokumentet janë aq të kufizuara sa që edhe disa nga zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare të administratës Biden nuk ishin të autorizuar t’i shqyrtonin ato, tha Post.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë po heton Trump për heqjen e të dhënave qeveritare nga Shtëpia e Bardhë pasi ai u largua nga detyra në janar të vitit 2021.

Trump dhe aleatët e tij kanë mohuar çdo keqbërje, duke thënë në periudha të ndryshme se disa dokumente mund të jenë hequr pa dashje nga Shtëpia e Bardhë, ose duke pretenduar se Trump tashmë i kishte deklasifikuar dokumentet.

Të hënën, një gjykatës federal ra dakord me kërkesën e Trump-it për të caktuar një person të posaçëm për të shqyrtuar të dhënat e sekuestruara në kërkimin e FBI-së, një veprim që ka të ngjarë të vonojë hetimin penal të Departamentit të Drejtësisë.




Skip to toolbar