Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Çesk Millja i ka dërguar presidentit Ilir Meta dokumentin e dorëheqjes së Valdrin Pjetrit duke e lajmëruar atë zyrtarisht se kjo bashki është pa kryetar.
Në letrën dërguar Metës cilësohet se sipas ligjit për ‘pushtetin vendor” këshilli i ri bashkiak me 51 anëtarë është konstituuar, por Bashkia Shkodër ka një vend vakant atë të kryetarit të saj. Këshilli Bashkiak gjatë mbledhjes së 19 gushtit pranoi dorëheqjen e Pjetrit dhe njoftoi me shkrim institucionet përkatëse.
Dorëheqja e Valdrin Pjetrit i hap rrugë zgjedhjeve të pjesshme në Shkodër, duke e futur atë në një ngërç të ri. Por a do ta thellojë Meta më shumë këtë krizë politike? Pas bërjes publike të dorëheqjes së Pjetrit, presidenti Meta nuk pranoi të dekretojë një datë të re për zgjedhjet e pjesshme në Shkodër, pasi për atë zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme dhe këmbëngul që zgjedhjet në mbarë vendin të zhvillohen më 13 tetor.
Zgjidhja duket se vjen përmes Kodit Zgjedhor. Kryetarja e re e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Brisela Kadia deklaroi më herët se ky ngërç do të zgjidhet sipas Kodit Zgjedhor, i cili përmes nenit 161 mund ta nxjerrë jashtë loje presidentin Meta. Ky nen në pikën 6 të tij thuhet se “është KQZ ajo që vendos të përsërisë zgjedhjet dhe të vendosë për datën e zhvillimit të tyre jo më vonë se 4 javë nga marrja e vendimit të përsëritjes së tyre.”
Madje zgjedhjet e pjesshme në Shkodër mund ta fusin sërish PD-në në jetën politike duke e shpëtuar nga izolimi që i bëri vetes.
Megjithatë fillimisht duhet që presidenti Meta të jap deklaratën e tij zyrtare se çfarë qëndrimi do të mbajë në këtë situatë të re politike, do jap një zgjidhje për krizën apo do e thellojë më shumë atë?