E bujshme, PSG përjashton Neymar, Tuchel: Nuk luan pa qartësuar situatën

SPORT


Merkato po i kushton aktivizimin me Paris Saint-Germain. Ylli brazilian i PSG, është lënë jashtë grupit të lojtarëve që janë grumbulluar për ndeshjen e së dielës ndaj Toulouse. Lajmin e ka bërë të ditur klubi që ka publikuar emrat e lojtarëve të grumbulluar, ku në sy bie mungesa e Neymar.

Një ditë para ndeshjes, të shtunën, trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel u shpreh se “nëse deri të dielën do të ketë zhvillime të reja për Neymar, ai do të grumbullohej me ekipin”. Mesaduket asgjë e re nuk ka ndodhur në “Parkun e Princave”, pasi Neymar është lënë jashtë skuadrës. Braziliani është stërvitur rregullisht me ekipin gjatë javës, por nuk është përzgjedhur për tu përballur me Toulouse të dielën.


 “Ai ka pasur një javë të mirë në stërvitje me shokët. Sidoqoftë, pozicioni i klubit është i qartë, ndërsa situata e tij është e paqartë. Ai nuk mund të luajë”, është shprehur Tuchel. Bisedimet midis PSG dhe palëve të interesuara, Barcelona dhe Real Madrid, raportohet se janë duke vazhduar, teksa afron afati i fundit i transferimeve, data 2 shtator.

Neymar mbeti pa u stërvitur gjatë fazës përgatitore me PSG për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës, që e pësoi gjatë kohës që përgatitej për ndeshjet e Copa America, kompeticion të cilin gjithashtu e humbi.




Skip to toolbar