Gazetari dhe drejtuesi i emisionit Sokol Balla i është përgjigjur sulmit të sotëm të presidentit Meta duke e ftuar atë në emision “për të thënë të vërtetat e tij”.
Balla ka postuar një mesazh për Metën të cilin e shoqëron dhe më një foto të përbashkët në Kremlin në vitin 2002.
Gazetari i përgjigjet presidentit se e pret në emision në ora 21, ballë për ballë. Por Balla thotë se Presidenti është i lirë të zgjedhë vetë orën, që në pesë të mëngjesit.
Me poshtë postimi i plotë i Sokol Ballës në Instagramin e tij, me një foto me Ilir Metën, që nuk duket e rastësishme:
“Me Ilir Metën në Kremlin në 2002, kur ishte zëvendëskryeministër. Sot Presidenti Ilir Meta më sulmoi e kërcënoi mua dhe fëmijët e mi. Por dhe më sfidoi për të ardhur në emision dhe të përballej me të vërtetën sipas tij dhe të vërtetën sipas meje. Ilir! Të pres të enjten në ora 21 në #realstory në @vizionplus. Ballë për Ballë. Gjithsesi orën zgjidhe vetë. Qoftë dhe në 5 të mëngjesit”, shkruan gazetari Balla në instagram ku i ka bërë tag edhe presidentit, nga i cili pret përgjigje për “të thënë të vërtetat e tij” gjërë e gjatë dhe ballë për ballë.
Edhe për amerikanët, “miqtë” e Ballës sipas presidentit, të cilët ai i sulmoi njëkohësisht me një gjuhë të paprecedentë.
META KËRCËNON GAZETARIN SOKOL BALLA, I PËRMEND FËMIJËT
Në shpërthimin e tij plot akuza dhe kërcënime, Presidenti Meta, ku gjatë gjithë kohës nuk ka treguar qetësinë që trumbeton si thirrje për politikanët shqiptarë, nuk ka kursyer nga sulmet e tij, edhe gazetarin Sokol Balla, duke i përmendur dhe fëmijët, kur u pyet nga gazetari Thimi Samarxhiu i Vizion Plus se për shkak të situatës që është krijuar në vend, mos vallë politikanët po bëhen qesharakë dhe nuk po sjellin siguri për rritjen e fëmijëve në Shqipëri, duke e kthyer vendin në 2 korrik 1990.
Replika e Metës me gazetarin
Gazetari: Zoti President, duke parë diskursin tuaj që nga 10 qershori deri më sot, që jeni partiak kjo është e dukshme, por miqësisht dhe si një qytetar i këtij vendi, a mos po bëheni qesharak, pasi pjesa më e madhe e shqiptarëve duan t’i rrisin fëmijët në këtë vend, përfshirë edhe mua dhe duan që ky vend të bëhet. Por, ju dhe flas për të gjithë politikën, por më shumë për ju, për shkak të interesave të tuaja politikë, apo frikërave tuaja po e çoni këtë vend lëmsh në 2 korrikun e ’90-s, që e përmendët dhe ju? Faleminderit!
Presidenti Meta: Të falënderoj për pyetjen. Nuk e di në çfarë media punoni ju,
Gazetari: Vizion Plus
Presidenti Meta: Kush është aty kryeredaktor, drejtor… Po kush është mo, nuk e di kush është atje… Koli është?! A Kol Balla, po. Tani e kam dëgjuar këtë çështje edhe herë tjetër, prapë nga miku im Sokol Balla, edhe e di se ai ka merak të madh se jam në konflikt interesi sepse nëna e fëmijëve të mi është në opozitë. E nuk e di se ku qëndron interesi këtu, se ai ka interes që të ikë Rama, nuk ka interes që të marrë pjesë në zgjedhje gjithëpërfshirëse, por të gjithë e dini se Koli nuk ka interes, asnjë konflikt interesi me qeverinë, pavarësisht se nëna e fëmijëve të tij punon në qeveri apo jo?! Kështu që faleminderit për pyetjen. E gjykojnë shqiptarët se kush i krijon këto probleme, kush i krijon këto shqetësime dhe kush do e nxjerrë Shqipërinë nga rruga e normalitetit, nga rruga e shtetit ligjor, nga rruga e funksionimit të institucioneve dhe reforma në drejtësi e Edi Ramës ka fytyrën e skandalit të unazës së re. Genocid ndaj njerëzve, ndaj hallexhinjve dhe paprekshmëri edhe ndaj atyre që falsifikojnë dokumentet e shtetit amerikan. Asnjë recepsionist nuk është ndaluar akoma, me qindra hallexhinj dhe njerëz janë dhunuar atje. Dakord? Dhe nëse do të flasë ai për reformë apo Ramaformë, kur të dëshirojë, unë jam President dhe nuk dëshirojë të hyj në këto çështje, kur të dëshirojë ai, tek Sokol Balla, të marrë edhe ata miqtë e tij amerikanë dhe europianë të reformës, të marrë edhe zonjën Callavera, aty, s’kam nevojë vetëm aty dhe ta kuptojmë si ishte reforma dhe si u bë Ramaforma. Prandaj jemi këtu.