Pas takimit me Bashën, Xhelal Mziu: Nuk e liroj zyrën

AKTUALITET


Pas takimit që kryetari i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi të martën me kryebashkiakët e djathtë, Xhelal Mziu i Kamzës duket se nuk ka ndryshuar qëndrim. Ai vazhdon të thotë se nuk do e lirojë zyrën e tij në Kamëz për fituesin socialist të zgjedhjeve të 30 qershorit.

Madje ai ka paralajmëruar se në 13 tetor qytetarët do shikojnë sesa vota do marrë, duke u shprehur i gatshëm të futet në zgjedhjet e 13 tetorit të dekretuara nga Meta, por që nuk i njeh kush.


“Asnjë shanc për të lëshuar zyrën përpara zgjedhjeve të 13 tetorit. Është e mjaftueshme duke parë raportin e fundit të OSBE/ ODIHR ku theksohet se është shkelur ligji dhe zgjedhjet janë të paligjshme. Në 13 tetor do e shohim se sa vota do marr”, tha Mziu.

Basha mblodhi të martën në një takim kryebashkiakët e djathtë. Nuk dihet ende se çfarë porosish ka dhënë kryetari të zgjedhurve demokratë të cilët tani mbesin pa pushtet për shkak se nuk morën pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Por kujtojmë se një ditë më herët Ambasada e SHBA e tha qartë dhe prerë se të zgjedhurit e ri vendorë që dolën nga zgjedhjet e 30 qershorit, duhet të marrin detyrën dhe të nisin punën. Ndërsa mesazhi për PD-në ishte se nëse kundërshton zgjedhjet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.




Skip to toolbar