Euro bie përsëri dhe i afrohet kufirit të 90 lekëve: Regjistrohet niveli më i ulët historik

EKONOMI


Kursi i këmbimit të monedhës europiane ndaj leksut ka vijuar rënien agresive, duke u kuotuar në nivelin e 90.64 lekëve sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Kjo shënon kuotën më të ulët të regjistruar ndonjëherë në tregun valutor, me një zhvlerësim vjetor prej 6.2% që përfaqëson ritmin më të lartë të rënies në tre vitet e fundit.

Faktorët kryesorë: Turizmi, investimet dhe orientimi drejt leksit

Ekspertët e tregut e shpjegojnë këtë prirje me mbiofertën e valutës dhe rritjen e flukseve hyrëse, të cilat udhëhiqen nga sektori i turizmit dhe investimet e huaja direkte. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, investimet e huaja arritën vlerën e 1.144 miliardë eurove, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, deficiti i llogarisë korrente është uulur me 41%, falë rritjes së eksporteve të shërbimeve dhe remitancave.

Nga ana tjetër, kërkesa e brendshme për euro paraqitet e dobët. Kjo e dhënë reflekton zbehjen e besimit të publikut te monedha europiane pas një cikli të gjatë zhvlerësimi, çka ka nxitur kuotimin e pronave të paluajtshme në lekë dhe rritjen e kreditimit në monedhën vendase. As trazirat e protestave të javëve të fundit nuk kanë sjellë rritje të kërkesës për euro, siç ka ndodhur historikisht gjatë periudhave të pasigurisë politike.

Banka e Shqipërisë rrit blerjet masive të valutës

Për të frenuar presionet mbi zhvlerësimin e mëtejshëm të euros, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndërhyrjet në tregun valutor. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, banka qendrore ka blerë gjithsej 663.6 milionë euro, nga të cilat 524 milionë euro u tërhoqën nga tregu vetëm në tremujorin e dytë (një rritje prej 224% me bazë vjetore).

Këto ndërhyrje ndjekin trajektoren e blerjeve masive të nisura që prej vitit 2024, periudhë gjatë së cilës autoriteti monetar ka blerë më shumë se dy miliardë euro për të stabilizuar tregun.



Skip to toolbar