Avokati i Popullit, Endri Shabani, i ftuar në “Real Story”, u shpreh se angazhimi i tij publik ka qenë gjithmonë në funksion të qytetarëve, që nga koha kur drejtonte Parlamentin Rinor në fillim të viteve 2000, deri te rolet e tij në politikë dhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Ai theksoi se, ndonëse ka ndryshuar pozicioni i tij, qëllimi mbetet i njëjtë: mbrojtja e të drejtave të qytetarëve.
Sipas tij, Avokati i Popullit nuk ka kompetencë vendimmarrëse, por ka të drejtën të monitorojë institucionet shtetërore dhe të hyjë në çdo zyrë apo institucion të vuajtjes së dënimit pa paralajmërim, për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut.
Ai pranoi se ndryshimet në administratë kërkojnë kohë, pavarësisht pritshmërive fillestare për reagim më të shpejtë.
“Jam në të njëjtin kah që kam qenë. Kam qenë aktivist që kur drejtoja Parlamentin Rinor në fillim të viteve 2000 dhe angazhimi im në shkallët politike ka qenë në një rol opozitar, ku në Këshillin Bashkiak të Tiranës kam ngritur problematikat e qytetarëve për strehimin, për çështjet e pronës dhe për grupet e margjinalizuara. Ka ndryshuar instrumenti. Tani kam më shumë instrumente në dorë dhe mundësinë të luftoj më shumë për qytetarët që nuk kanë zë. Por unë nuk jam avokati i shtetit, që është një institucion shtetëror që varet drejtpërdrejt nga kryeministri dhe mbron interesat e administratës publike. Përballë administratës publike, kur të drejtat e qytetarit shkelen nga një institucion publik, ai ankohet te ne dhe ne mbrojmë të drejtat e tij.
“Roli i Avokatit të Popullit nuk ka pushtet në kuptimin për të marrë vendime apo për të ndryshuar gjërat. Avokati i Popullit, sipas Kushtetutës, mund të hyjë në çdo zyrë të shtetit dhe në çdo institucion të vuajtjes së dënimit pa paralajmërim, për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kur mora detyrën, kam menduar që për dy muaj mund të ndryshonim organizimin e brendshëm dhe të detyronim administratën publike të reagonte shpejt, por ajo që shoh është se kjo kërkon kohë.
“Unë dua të fokusohem te ajo që do të bëj dhe jo te rruga nëpër të cilën kaloi procesi i zgjedhjes. Padyshim që nuk e kam harruar. U surprizova nga të dyja palët: nga ata që më quajtën aleat dhe më pas thoshin se nuk jam i tyre, si dhe nga ata që deri dje i kisha çuar në SPAK, por që treguan një lloj përgjegjshmërie për të më votuar, pavarësisht betejave që kisha bërë me ta, sepse betejat nuk i kam pasur personale, por institucionale. Ajo që kam menduar, e kam thënë dhe e kam denoncuar”, tha ai.
