Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëri renditjen e kandidatëve për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, një ditë pasi dëgjoi tre aspirantët e këtij posti. Në përfundim të këtij procesi, prokurori Olsian Çela është renditur i pari me 459 pikë, ndërsa e dyta në listë është Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku me 406 pikë.
E treta në listë është kandidatja Fatjona Memçaj me 362 pikë. Kjo renditje është votuar unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë në mbledhjen e zhvilluar të enjten. Ndërsa kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi u shpreh se kandidatët janë vlerësuar për tre kritere.
“Ne i çojmë Kuvendit një listë me tre kandidtë, që i vlerësojmë nga profesionalizmi, integriteti dhe pozicioni i tyre karshi kolegëve. Ka qenë një process i gjatë për shumë arsye, duke përfshirë dhe Vettingun. Sot jemi në gjendje të ndajmë me ju rezutlatet e punës tonë përzgjedhësve. Jemi përpjekur të jemi transparent me publikun”.
“Ky proces solli në këtë finale, ne sot jemi në gjendje të bëjmë pikëzimin sipas rregullores së miratuar në mars: vlerësimi bëhet për aftësitë profesionale, integritetin dhe aftësitë drejtuese”, tha ndër të tjera Gent Ibrahimi gjatë mbledhjes së KLP. Të tre kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, dolën përpara KLP-së të mërkurën duke shpalosur platformat e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshëm.