Gjithë arsyet përse dështoi aksioni i opozitës

AKTUALITET


Opozita zhvilloi 10 protesta nga 16 shkurti deri në 8 korrik, me kauzën “largim i Qeverisë ilegjitime, dalë nga vota të blera”. Kështu mund të përmblidhet në një fjali aksioni opozitar i këtyre pesë muajve. Tashmë që Lulzim Basha, zhvilloi dhe protestën falënderuese për qytetarët dhe Presidentin më 8 korrik, është momenti për të bërë një bilanc të aksionit opozitar, asaj që mund të quhet fitore për PD-në dhe padyshim aspekti tjetër janë humbjet. Në këtë rast, që në nisje vlen të theksohet, se aksioni opozitar lexohet në mënyra të ndryshme, ku disa thonë ishte pozitiv djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve, ndërsa një pjesë tjetër janë të mendimit se aksioni opozitar e ka dëmtuar kauzën e opozitës.

Le ti marrim me radhë:

Si fillim, lënia e mandateve ishte një akt ekstrem (i pranuar nga vetë PD dhe aleatët), por i justifikuar si e vetmja mënyrë për t`i bërë presion Qeverisë të largohet. Fakti është se lënia e mandateve nuk e largoi Qeverinë, ajo vijon punën edhe sot e kësaj dite. PD dhe aleatët u shprehën ditën e parë që morën vendimin, se mandatet do ti djegin të gjithë deputetët, në fakt, ndodhi e kundërta, PD-ja u tradhtua nga të tijët, jo vetëm që s`i dogjën të gjithë, por shumë nga listat e demokratëve pranuan mandatin, ata janë sot opozita parlamentare të drejtuar nga Rudina Hajdari. Pikërisht, gabimi i parë i PD-së, ishte lënia e mandateve dhe mosllogaritja e pasojave, goditjen ja dhanë dhjetra demokratë që zunë vendin e ish-deputetëve në Parlament, duke vënë në pikëpyetje të madhe vendim e PD-së.

Dështimi i dytë i opozitës, ishte mosllogaritja e qëndrimeve që do të mbante një tjetër faktor, ndërkombëtarët. Në fakt, ky është një nga gabimet e pakuptueshme të opozitës. E cila kishte një shembull real, se në aksionin ekstrem të bojkotit parlamentar dhe lënien e mandateve, ndërkombëtarët nuk do të ishin krah tyre. Do të mjaftonte vetëm pak kujtesë për aksionin opozitar të nisur në shkurt të 2017 dhe përfunduar me marrëveshjen e 17 majit, po atë vit, për të kuptuar se qëndrimi i ndërkombëtarëve nuk do të ishte as këtë herë në krahun e ekstremit të një aksioni politik. Këtë opozita nuk e llogariti, pasojat e saj i mësoi tre ditë para zgjedhjeve (kujtoni intervistën e Mathew Palmer).

Gabimi i tretë, që dështoi aksionin opozitar, ishte mungesa e një plani. Javë pas jave e protestë pas proteste, u kuptua qartë se opozita nuk kishte një plan konkret, për të detyruar qeverinë të tërhiqej. Radikalizmi (me sulme molotov gjatë protestave) mbeti gjithsesi në kufijtë e një tensioni të kontrolluar, ndërsa opozita nuk dha asnjë plan konkret, se si do të detyronte Edi Ramën të largohej nga Kryeministria. Madje, opozita nuk pati asnjë plan as për zgjedhjet e 30 qershorit, dhe tashmë duket se nuk ka asnjë plan, as se si do të mbrohet nga të vetët  (kryetarët rebel të bashkive që mbetën të zhgënjyer nga aksioni i PD). Pasojat mund të jenë të pallogaritshme për Lulzim Bashën dhe PD.

Gabimi tjetër i opozitës ishin sulmet ndaj ndërkombëtarëve. I gjendur i rrethuar dhe pa asnjë komunikim dhe mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lulzim Basha bëri një deklaratë befasuese pak ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, duke i cilësuar ambasdorët “Don Kishotë që mbrojnë Edi Ramën dhe e mbajnë atë në pushtet”. Ky ishte një tjetër gabim, që përkeqësoi situatën brenda vetë opozitës, që dështimin e aksionit të vetë, po kërkonte t`ia faturonte të huajve.

Veprimi tjetër, që rrënoi aksionin opozitar, ishte vendimi për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Lulzim Basha dhe aleatët dogjën afatet për t`u regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit, pasi kërkesa e tyre për largimin e Qeverisë nuk ishte përmbushur. Megjithatë, para kësaj meriton një vëmendje të hollë aksioni opozitar. Basha bëri një gabim strategjik. Pesjëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit, mund të forconte kauzën e tij (të manipulimit dhe vjedhjeve të votave nga Qeveria) duke u futur në garë dhe monitoruar atë direkt. Kështu, nëse do të kishte probleme gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit, opozita do të kishte më shumë argumenta për të bindur të huajt dhe shqiptarët, se qeveria vjedh zgjedhjet. Por, opozita zgjodhi një strategji tjetër, vendosi të mbështeste publikimin e përgjimeve të Bild, që jepnin indicie për blerje votash, por për zgjedhjet e tre viteve të shkuara. Ky akt, në fakt nuk u pasua me pritshmëritë e PD-së, që besonte se do të vinte nën presion ndërkombëtarët dhe vetë Qeverinë.

Madje reaksioni ishte i kundërt, ndërkombëtarët i zhvlerësuan përgjimet e Bild, dhe mbështetën zgjedhjet e 30 qershorit, dhe thanë: “Krimet elektorale të merret drejtësia, standardet elektorale i vendosni me dialog duke bërë Reformën Zgjedhore”. Ky mund të ketë qenë zhgënjimi më i madh i opozitës, një goditje e kauzës dhe aksionit të saj. Gjithashtu, refuzimi i pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit, ka një pasojë dhe më të rëndë. PD dhe opozita, nëse do të ishin futur në garë, me siguri do të kishin mbrojtur disa bastione të tyre në bashkitë e vendit, e do të tentonin të merrnin disa të tjera. Kështu, PD mund të konfirmonte atë që thoshte gjatë protestave: “opozita është shumica”. Zgjedhjet do të ishin sondazhi real për të provuar rritjen e opozitës. Basha nuk e bëri këtë, tani pasojat janë të rënda, opozita nuk ka asnjë pushtet real në Shqipëri.

Refuzimi i dialogut ishte një tjetër hap i gabuar. Ndonëse Kryeministri Edi Rama u akuzua nga opozita si autor i “krimeve elektorale të 2017”, ai ishte i vetmi njeri me të cilin opozita do të duhej, dhe duhet të ulet në dialog. Nëse zgjedhjet e 2017 u fituan me blerje vote, siç Katari fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit të 2022 me blerje të kupolës drejtuese të FIFA-s, vërtetimi i korrupsionit, çoi në largimin e Blaterit nga drejtimi i FIFA-s, por Katarit nuk i është hequr e drejta për të organizuar Kupën e Botës. Në një situatë të ngjashme, PD-ja nëpërmjet dialogut, mund të kërkonte hetim të plotë (siç e ka kërkuar në deklarata) të personave përgjegjës (nëse ka) të krimeve elektorale, dhe kryerjen e Reformës Zgjedhore. Praktikisht, nëse janë vjedhur votat në Dibër e Durrës, si votat për Katarin, kjo nuk e zhvleftësonte legjitimitetin e Qeverisë, e cila në rastin konkret, do të kishte dy  fish përgjegjësi, (angazhim që e ka treguar), për të dialoguar dhe ofruar garanci që ato që kanë ndodhur të mos ndodhnin më.

Një tjetër gabim i opozitës, ishte thirrja për konflikt në 30 qershor. Kjo rëndoi dhe më tepër situatën dhe mbështetjen ndërkombëtare të PD-së. Amerika, e cila heshti deri sa foli Kolegji Zgjedhor për dekretin e Ilir Metës, u shpreh qartë: “Kush bën dhunë më 30 qershor, ndërpret marrëdhëniet me SHBA”. Në këto kushte, thirrjet për konflikt, shkaktuan një tronditje të madhe brenda opozitës. Skenari i përgatitur prej kohësh përpamundësim të zgjedhjeve nëpërmjet dhunës, dështoi, por shtoi zhgënjimin te kryebashkiakët e djathtë, të cilët kishin marrë premtim nga Basha se nuk do të kishte zgjedhje më 30 qershor. Në këto kushte, Basha është i detyruar të bëj paqe me kryebashkiakët e tij, aq sa tashmë ka harruar Edi Ramën, dhe po i shkon në takim çdo kryetari në ikje nga bashkitë e drejtuara nga PD.

Mirëpo, nëse të gjitha këto janë disa nga arsyet e shkatërrimit të aksionit opozitar, ajo më e rënda duket se është mungesa e qartësisë për të ardhmen dhe konfuzioni brenda vetë aleatëve. Monika Kryemadhi ka lënë të kuptohet se do dialog, me Edi Ramën, jo si Kryeministër, por megjithatë, pranon të futet dhe në zgjedhje me të, ndryshe nga Basha, që mbetet stoik në vendimet e tij. Në krahun tjetër, Basha ka rryma revolte brenda së djathtës, shumë ish-drejtues të kësaj partie janë rikthyer në skenë, kërkojnë largimin e tij dhe reformim të partisë, para se PD të shuhet. Gjithashtu, Lulzim Basha, ka dhe një problem që duhet të zgjidhë. Refuzimi i pashpjegushëm për të hyr në dialog dhe për të gjetur zgjidhje të krizës. Ky është problem me veten, pasi aleatët i kanë dhënë shenjat se “kupa është mbushur”, kriza duhet zgjidhur. /Realstory.al/



Skip to toolbar