Gjykata Kushtetuese, mazhoranca propozon më 5 korrik emrat e parë

Më të fundit


Më 5 korrik, mazhoranca do të propozojë emrat për Gjykatën Kushtetuese dhe do t’i paraqesë për t’i diskutuar në Kuvend. Ky lajm u dha nga gazetari Sokol Balla në emisionin e tij Real Story duke konfirmuar edhe atë që është thënë më herët se Gjykata Kushtetuese do të jetë funksionale brenda verës.

Gjykata Kushtetuese aktualisht është jo funksionale prej disa muajsh për shkak se disa prej anëtarëve u përfundoi mandati ndërsa të tjerë nuk kaluan dot procesin e vettingut. Qeveria kërkon që ta vërë atë sa më shpejt në funksion. Arsyeja: Shkelja e Kushtetutës nga presidenti Meta, ku mazhoranca miratoi edhe një rezolutë në Kuvend për shkeljet ligjore që Presidenti bëri me dekretin e tij të anulimit të zgjedhjeve më 30 qershor.  

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një lajm i keq vetëm për Ilir Metën. Çështjen e parë që kjo gjykatë do të shqyrtojë, pas krijimit të saj, është procesi i shkarkimit të Presidentit Meta, ku shumica duket mjaft e vendosur për të çuar deri në fund. Përveç mazhorancës, edhe ndërkombëtarët e kanë kërkuar me ngulm krijimin e kësaj Gjykate sa më shpejtë të jetë e mundur, si një domosdoshmëri për të ruajtur kushtetuan dhe zbatimin  ligjit, pa u cenuar nga askush.

Kjo çështje u diskutua edhe në emisionin Real Story me ish deputetin e PD-së, Enkelejd Alibeaj,  i cili e kundërshtoi se ky informacion do të ishte i vërtet. Alibeaj deklaroi se si koncept nuk ecën me procedurë dhe me ligj. “Sot që flasim për të arritur te dalja e kandidaturave sipas reformës në drejtësi, duhet të bëhet verifikimi dhe së pari për tu bërë verifikimi, duhet pritur që nga ana e vettingut ta kalojë. Hapi tjetër është pikëzimi që duhet ta bëjë këshilli në drejtësi, që duhet së paku një javë. Më pas këto kandidatura 3 nga kuvendi 3 nga presidenti duhet të shkojnë në Kuvendin e Ligjeve”.

Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë , ku tre anëtarë do të duhet të emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. /realstory.al



Skip to toolbar