PD nuk flet më për dhunë, Alibeaj në Real Story: Si mund të shtyhen zgjedhjet lokale

Më të fundit


Ish deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj deklaron se ka një mënyrë për të shtyrë zgjedhjet lokale, duke i bazuar në ligj, por ashtu si kryetari i PD, ai nuk ka përmendur bllokimin e zgjedhjeve por bojkotimin e tyre. Alibeaj pretendoi sesi mund të zgjidhet kriza, duke sjellë një qëndrim të zbutur të opozitës në emisionin Real Story të Sokol Ballës në Vizion Plus, duke iu referuar ligjit për Vetëqeverisjen Vendore.

“Për të zgjedhurit vendorë, janë dy ligje me të njëjtin nivel dhe s’kanë përplasje me njëri-tjetrin. Të zgjedhurit vendorë duhet të qëndrojnë në detyrë deri në ardhjen e pasardhësit. Është Kodi Zgjedhor, i cili deklaron se të zgjedhurit vendorë nuk duhet të qëndrojnë në detyrë më shumë se katër vite nga momenti i certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ, por është edhe ligji për vetëqeverisjen vendore, i cili ka parashikuar rastet e shtyrjes së zgjedhjeve dhe që përcakton se të zgjedhurit në ikje duhet të qëndrojnë në detyrë derisa të certifikohen të zgjedhurit e rinj”, deklaroi Alibeaj. Por gazetari Sokol Balla e pyeti se ligji ligj prevalon në këtë rast, Kodi Zgjedhor apo ligji për Vetëqeverisjen Vendore. Për këtë pyetje, Alibeaj deklaroi se të dy kanë të njëjtën fuqi, pasi janë miratuar me 3/5 e Kuvendit të Shqipërisë.


Duke dhënë zgjidhjen e menduar nga Partia Demokratike për shtyrjen e zgjedhjeve, edhe Alibeaj, ashtu si Basha, ka folur me një gjuhë të moderuar, ku tentoi të shfajësojë edhe kolegun e tij Aurel Bylykbashi për deklaratën e tij për vëllavrasje, për të cilën edhe u shoqërua në polici. “Pyetja është jo pse Aurel Bylykbashi i tha ato fjalë, por çfarë i kanë shtyrë njerëzit që të arrijnë deri në këtë pikë që të nxjerrin dufin, ama vetëm nëpërmjet fjalëve”, shpjegoi Alibeaj, duke lënë të nënkuptohet disi porositë që ka marrë opozita që në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë përplasje me qytetarët, siç shprehej edhe një qarkore që thuhet se ka dalë nga PD, por që kjo e fundit e ka mohuar zyrtarisht. Madje, kjo qasje me retorikë të zbutur të opozitës dhe të kryedemokratit Basha u komentua edhe nga analisti Vasjari. “Lulzim Basha ka një qasje për ndryshim të strategjisë së ndjekur deri më tani. Për mua është shumë pozitive kjo lëvizje”, tha Vasjari. Megjithatë, sipas Zaloshnjes, kjo qasje mund të lërë në vendnumëro Partinë Demokratike. “Sipas sondazheve që unë i bëj çdo muaj, PD ka pasur një rritje elektorale pas 16 shkurtit, por ndodhur në këtë rreth vicioz, po rrezikon mos të tërheqë votat e lëkundura dhe në momentin që zbutet mund të tërheqë votat e lëkundura dhe t’i ikin ato tradicionale”, analizoi Zaloshnja. Por Alibeaj replikoi se për ta nuk janë të rëndësishme kuotat, pasi sipas tij sido që të jenë ato, nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën

“Nuk jemi nisur për të marrë akte kaq të forta, thjesht për të rritur kuotat tona, e para për një arsye të thjeshtë, jo vetëm prej 16 shkurtit, kur morëm aktin e padëgjuar më parë, por për gjithë historinë, që nga 2017 e këtej, kur ne u bindëm se nuk mund të bëhet proces zgjedhor me këtë Kryeministër nuk mund të bëhet. Dhe ti kur kupton se nuk mund të bëhet, sado të rritesh, sado të marrësh votat e elektoratit gri, ky njeri ditën e zgjedhjeve t’i vjedh. Pse dolëm nga sistemi. Për një përgjigje mjaft të thjeshtë, se sistemi nuk ishte as më 16 shkurt, as më herët”, deklaroi Alibeaj.




Skip to toolbar