Gjykata lë në burg e ish-kryebashkiakun e Lushnjës

AKTUALITET


Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën për liri të ish-kreut të Bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe.

Ky i fundit me argumentin se nuk është mirë nga gjendja shëndetësore, kërkoi zbutje të masës “Arrest në burg”, por kërkesa është rrëzuar nga gjyqtari Erion Çela.


Edhe më herët ish-kreu i Bashkisë Lushnjë, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” në dyshimin e abuzimit me fondet publike dhe detyrën, ka kërkuar ndryshim të masës, teksa para Gjykatës ka mohuar akuzat, duke pretenduar pafajësi.

Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik, me 10 vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 23 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender është fituar nga një kompani EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet dhe fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen dhe Peqinin, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Murati dhe në fund paratë i ndanin bashkë.

Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll.

Tushe u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë.




Skip to toolbar