Superliga, ditë barazimesh

SPORT


Janë luajtur të dielën dy ndeshjet e radhës të Superligës të vlefshme për javën e pestë të kampionatit. Flamurtari ka “shpërthyer” në gola por ka dalë vetëm me një pikë nga fusha e tij, pasi barazoi 3-3 me Laçin. Ishte Denis Pjeshka ai që hapi serinë e gjashtë golave në Vlorë. Në minutën e 28, Pjeshka zhbllokon rezultatin për Flamurtarin, ndërsa në të 39` Xhixha ka barazuar për kurbinasit.

Megjithatë, në fund të pjesës së parë, Xhevair Sukaj gjen përsëri rrjetën duke rikthyer vlonjatët në avantazh, të cilët shkojnë në pushimin e pjesës së parë të qetë. Në të dytën loja flet për miqtë. Në të 64`, Laçi barazon me Teco, ndërsa tre minuta më vonë Nuabueze shënon dhe golin e avantazhit për kurbinasit.

Por pavarësisht kësaj, Flamurtari nuk dorëzohet, pesë minuta para përfundimit të ndeshjes Haruni gjen rrjetën për vlonjatët, duke vendosur dhe takimin në shifrat 3-3. Për Flamurtarin kjo është pika e parë e kampionatit pas pesë javësh, ndërkohë që Laçi ngjitet në vendin e tetë të renditjes me 5 pikë, 1 më shumë se Luftëtari.

Ndërkohë në sfidën tjetër të kësaj jave, Vllaznia ka barazuar 0-0 në shtëpi me Luftëtarin, duke ndarë nga një pikë mes tyre. Ka qenë një pikë me shumë vlerë në fakt për gjirokastritët, që prej dy javësh janë rikthyer te rezultatet pozitive, ndërsa Vllaznia humbi një shans për të shkuar në mesin e tabelës. Pas ndeshjes të së dielës, shkodranët ndodhen në vendin e 7 të renditjes me 6 pikë ndërsa Luftëtari ndodhet në vendin e 9 me 4 pikë.



Skip to toolbar