Gruaja që paralajmëroi e para për Osama bin Laden

BOTA


Nga Peter Bergen, analist i sigurisë kombëtare për CNN

Në qershor të vitit 1988, vetëm një javë pas dilpomimit në fushën e ekonomisë dhe politikës së jashtme në universitetin e Virginia, Gina Bennett nisi punën në departamentin e shtetit si daktilografiste. Pak muaj më vonë, shefi i saj tha: “Gina, ti nuk e ke këtu vendin. Unë do të të ngre në detyrë, kështu që, që sot e tutje do të kesh pozicionin si analiste e inteligjencës“.


Sot, 33 vite më vonë, 20 vjetori i 11 shtatorit e gjen Bennett si anëtare të Këshillit të Shërbimit analitik të CIA, në rolin e këshilltares së lartë pranë qendrës kombëtare kundër terrorizmit.

Askush në qeverinë amerikane nuk e ka ndjekur Al Kaeda dhe të gjitha degëzimet e saj për aq gjatë dhe në mënyrë kaq të vecantë sa Bennett.

Kjo nuk pritej të ndodhte në kohën kur Bennett filloi të punonte në byronë e inteligjencës dhe kërkimit të departamentit të shtetit, një nga agjensitë më të vogla të inteligjencës amerikane.

Puna e parë e Bennett konsistonte si “oficere e vëzhgimit të terrorizmit“, një punë me turne tetë orarëshe, gjatë të cilave ajo monitoronte inteligjencën dhe lajmet në media, për të analizuar trendet më të fundit të terrorizmit dhe për t“iu përgjigjur sulmeve kur ata ndodhnin.

Më 21 dhjetor 1988, një bombë shpërtheu në Pan Am 103, ndërsa fluturonte mbi Skoci. Rrëzimi i avionit solli 270 viktima gjithsej përfshirë njerëz që udhëtonin në të, si dhe persona që ndodheshin në tokë, 35 prej të cilëve ishin studentë të universitetit të Sirakuzës. Bennett punoi me cështjet konsullore duke ndihmuar familjet në zi dhe duke përgatitur raportimet e departamentit të shtetit në lidhje me bombardimin.

Bennett rikujton dhe thotë: “Sulmi nw fluturimin Pan Am 103 më ndryshoi krejtësisht, sepse shumë prej pasagjerëve ishin studentë, që do të thotë vetëm pak vite më të rinj se unë“. Ndalimi i sulmit terrorist të rradhës u bë misioni kryesor i Bennett. “është sikur të jesh polic në ndjekje të një vrasësi serial. Ti thjesht nuk mund të heqësh më dorë“.

Muri i Berlinit ra në fund të vitit 1989 dhe më pas Bashkimi Sovjetik u shemb, por Bennett ndjeu se ekziston një trashëgimi kërcënuese të Luftës së Ftohtë– “arabët afganë“, të cilët ishin veteranë arabë të xhihadit anti-sovjetik gjatë viteve 1980 në Afganistan. Bennett kuptoi se arabët afganë po ktheheshin në vendet e tyre si Algjeria, Egjipti dhe Tunizia dhe ajo vuri re se disa po bashkoheshin me grupet e armatosura.

Bennett u shokua vecanërisht nga një sulm në nëntor 1991 nga një grup militantësh drejt rojeve kufitare algjeriane, gjashtë prej të cilëve u therën si kafshë me thika e shpata. Terroristët algjerianë ishin veshur me rroba afgane dhe udhëheqësi i tyre quhej Tayeb el Afghani “Tajeb afgani“.

Ajo hetoi më tej dhe zbuloi se mijëra arabë afganë kishin lënë vendet e tyre për të shkuar në Pakistan dhe Afganistan gjatë viteve 1980, duke u mbështetur në një rrjet që kishte shpërndarë burra, para dhe furnizime për luftën afgane. Nga fillimi i viteve 1990, ai rrjet po dërgonte veteranë të konfliktit afgan për t“u bashkuar me grupet militante islamike në të gjithë botën.

Bennett filloi të shkruante ndërkohë dokumenta të klasifikuar rreth atyre çfarë po mësonte. Ajo nisi të dëgjonte për një djalë “Abu Abdullah“, i cili po financonte disa nga këta arabë afganë. Bennett në atë kohë nuk e kishte menduar se ajo do të kalonte pjesën më të madhe të karrierës së saj, fokusuar në këtë njëriun misterioz Abu Abdullah, pseudonimi i Osama bin Laden.

Bennett hulumtoi bomardimet e dy hoteleve në Aden, Yemen në dhjetor të vitit 1992. Ata po strehonin ushtarë amerikanë rrugës për në Somali për të marrë pjesë në një mision humanitar për të ushqyer somalezët e uritur. Zyrtarët jemenas thanë se sulmi u financua nga një “Osama bin Laden“, i cili atëherë jetonte në Sudan.

Ndërsa Bennett po hetonte Bin Laden dhe arabët afganë, ajo mbeti shtatzënë me fëmijën e saj të parë dhe e solli atë në jetë më 23 shkurt 1993. Tre ditë më vonë, një ekip i mbledhur nga një prej arabëve afganë, Ramzi Yousef, marshoi me një furgon në bodrumin e qendrës botërore të tregtisë dhe shpërtheu një bombë, dukë lënë të vdekur gjashtë persona. Gjatë hetimit mbi grupin e Yousef, u zbulua se disa prej tyre kishin udhëtuar në Afganistan ose Pakistan për të ndihmuar në luftën kundër komunistëve.

Bennett po mbante djalin e saj në krahë ende në spital kur shefi i saj e telefonoi dhe me një zë të furishëm i thoshte: “Njerëzit e tu e bënë këtë! Njerëzit e tu e bënë këtë“! Ai i referohej arabëve afganë që Bennett kishte ndjekur gjatë dy viteve të fundit.

Në fillim Bennet nuk po e kuptonte se për cfarë po fliste shefi i saj, pasi ajo vuante ende nga një dhimbje e madhe, pasojë e lindjes dhe qetësuesit që kishte marrë e kishin përfunduar efektin e tyre.

Shumë shpejt Bennett kuptoi se arabët afganë kishin përhapur luftën e tyre të shenjtë, këtë herë në qytetin e New York-ut. Mbi tryezën e punës së Bennett në departamentin e shtetit ishte një draft i papwrfunduar i një letre, që ajo kishte shkruar, e cila përshkruante një lëvizje të muxhahidëve, luftëtarëve të shenjtë, nga më shumë se 50 vende, që kishin fituar përvojë në fushën e betejës në Afganistan dhe tani po bashkoheshin me organizatat militante në vende të tilla si Algjeria, Bosnja, Egjipti, Taxhikistani, Filipinet dhe Jemeni e madje edhe në vende të papritur si Burma.

Paralajmërimi i parë rreth bin Laden

Pas përfundimit të lejes së lindjes, Bennett rifilloi hartimin e letrës së saj, të cilën e shpërndau më 21 gusht 1993.

Raporti i klasifikuar, “Muxhahidinët endacakë: të armatosur dhe të rrezikshëm“, identifikoi “Osama bin Laden“, si një donator që mbështeste militantët islamikë në vende krejtësisht të ndryshme si Jemeni dhe Shtetet e Bashkuara njëkohësisht. Pasuria e Bin Laden vinte nga kompania e ndërtimit të familjes së tij, e cila ishte një nga më të mëdhatë në Lindjen e Mesme. Sipas analizës së Bennett në vitin 1993, financimi i Bin Laden kishte mundësuar qindra arabë afganë të vendoseshin në Sudan dhe Jemen.

Raportimi i Bennett shënoi herën e parë që qeveria amerikane jepte një paralajmërim për rreziqet e një lëvizjeje xhihadiste globale të udhëhequr nga multimilioneri misterioz, Osama Bin Laden. Dhe paralajmërimi nuk u lëshua nga CIA apo FBI, por nga një analist i ri i inteligjencës në departamentin e shtetit.

Një javë më vonë, Bennett publikoi një analizë tjetër të klasifikuar të titulluar, “Mbrojtësi saudit ndaj ekstremistëve islamikë“, në të cilën ajo vuri re se bin Laden kishte themeluar një grup të quajtur “al Kaeda“ në vitin 1980. Kjo ishte hera e parë që dikush në qeverinë amerikane e kishte identifikuar Al Kaedën si një kërcënim, ekzistenca e së cilës ishte atëherë një sekret i mbajtur mirë.

Bennett kishte kaluar kohë të gjatë duke komunikuar me homologët e saj të inteligjencës në vende si Egjipti dhe Jemeni për të mësuar sa më shumë për Bin Laden dhe organizatën e tij.

Bennett e cilësoi Bin Laden si financuesin e bombardimeve të dy hoteleve në Jemen. Ajo gjithashtu përshkruante se si Bin Laden kishte mbledhur një grup veteranësh të luftës afgane në bazën e tij në Sudan, të cilët po stërviteshin për të marrë pjesë në luftërat e reja të shenjta, ndërsa ai financonte xhihadët në të gjithë botën, nga Pakistani në Tajlandë.

Bennett  e dinte se ajo që po përshkruante nuk konsiderohej normale në botën e antiterrorizmit, sepse ky ishte një rast i militantëve nga vende të ndryshme në një aleancë të lirshme, që vepronin pa mbështetjen e asnjë shteti. Bennett donte që politikbërësit dhe komuniteti i inteligjencës t“i kushtonin vëmendje këtij fenomeni, por ajo e dinte se do të ishte e vështirë.

Në letrat e saj Bennett e përshkroi Bin Ladenin si një “financier“, duke qenë se kjo ishte pjesa e dukshme e tij, por thellë ajo e dinte se ai ishte dicka më shumë. Bennett vetë ishte një katolike vëzhguese, që e kuptonte fuqinë e besimeve fetare në jetën e dikujt.

Ajo ishte e bindur se Bin Laden ishte një vizionar, që besonte se Zoti ishte në anën e tij. Ai kishte një model për ndryshimin politik, të bazuar në përvojën e tij në Afganistan, ku burra nga dhjetëra vende kishin lënë mënjanë interpretimet e tyre të ndryshme të Islamit dhe kishin luftuar në emër të Allahut. Ata kishin qëndruar të fokusuar në atë luftë dhe sic mund të shihet përfundimi; Bashkimi Sovjetik ra, dy vjet pasi lufta katastrofike sovjetike në Afganistan përfundoi në 1989.

Bennet besonte se Bin Laden e mitizoi gjithë këtë lëvizje dhe jo vetëm rolin e tij në të. Ajo mendoi se ky ishte një model i përsëritshëm, jo vetëm në Afganistan, por në të gjithë botën.

Nën presionin e qeverive saudite dhe amerikane në mes të majit 1996, bin Laden u zhvendos nga Sudani në Afganistan. Dy muaj më vonë, Bennett publikoi një tjetër analizë të fshehtë të titulluar, “Osama bin Laden: Kush po ndjek kë?” Bennett parashikoi se Bin Laden “do të ndihej rehat“ kur të  kthehej në Afganistan, ku ai filloi si mbrojtës dhe muxhahid gjatë luftës me ish -Bashkimin Sovjetik.

Bennett parashikonte se qëndrimi i zgjatur i Bin Laden në Afganistan, ku qindra muxhahidinë arabë marrin trajnime terroriste dhe udhëheqësit ekstremistë shpesh mblidhen së bashku, mund të rezultojë më i rrezikshëm për interesat afatgjatë amerikane, sesa gjatë lidhjes së tij trevjeçare me kryeqytetin e Sudanit, Khartoum.

Bennet shprehej më e bindur se kurrë, se bin Laden është një kërcënim më i madh tani që ai u ribashkua me vendlindjen e mitologjisë së tij dhe ndodhej në fushat e betejës së Afganistanit, ku ai kishte luftuar personalisht sovjetikët në fund të viteve 1980.

Ai kishte një rrjet kontaktesh në Pakistan dhe Afganistan që mund t’i përdorte lehtësisht. Nuk duhej nënvlerësuar, se Bin Laden ishte i zemëruar që u detyrua të largohej nga Sudani, ku kishte investuar miliona dollarë; një dëbim ky, për të cilin ai fajësoi amerikanët.

9/11

Gjatë pranverës dhe verës së vitit 2001, komuniteti amerikan i inteligjencës mori një seri raportesh të besueshëm në lidhje me planet e Bin Laden për sulme ndaj objektivave amerikanë.

Më 20 prill, një raport i titulluar “bin Laden planifikon operacione të shumëfishta“ u qarkullua nga CIA dhe u ndoq nga një tjetër raport më 3 maj, “publikimi i profilit të Bin Laden paralajmëron sulm“. Dhe më 3 gusht, CIA lëshoi një paralajmërim të titulluar, “kërcënim, se sulmi Al Kaeda vazhdon pafundësisht“.

Sipas Bennett, e cila asokohe po punonte për CIA dhe po kontribuonte në paralajmërimet për planet e bin Laden, fakti që disa nga komplotet e Al Kaeda kishin dështuar më parë, solli zëra të zyrtarëve të shtetit, të cilët hamendësonin, se CIA po e mbivlerëson kërcënimin. Bennett ndërkohë pyeste veten: “Mbase jemi cmendur? Mbase jemi ne gabim?“ Gjithcka ishte mbi shpatullat e saj dhe të kolegëve të saj. Ishte një verë e vështirë.

Në mëngjesin e së martës, 11 shtator 2001, nxehtësia mbytëse e stinës së verës në Washington kishte nisur; qielli ishte krejtësisht i pastër, pa re dhe ajri i kristaltë. Gina Bennett dhe shoqja e saj Cindy Storer, të cilat kishin kohë që bënin pjesë në shënjestrën e bin Laden si dhe të gjithë punonjësit e CIA, po udhëtonin me makinë në selinë kryesore të agjensisë, në McLean, Virginia.

Gjatë gjithë udhëtimit, Bennett dhe Storer po diskutonin rreth vrasjes së dy ditëve më parë të Ahmad Shah Massoud, udhëheqësit të rezistencës anti-talebane në Afganistan. Ato mundoheshin të gjenin përgjigje nëse kjo ishte një dhuratë e Bin Laden për udhëheqësin e talebanëve, Mullah Omar dhe pyesnin: “Pse duhen krijuar gjithë këto telashe për të vrarë Massoud? Me siguri dicka e tillë bëhet vetëm për arsye madhore“.

Bennett, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e saj të katërt dhe vuante herë pas here nga debulesa gjatë orëve të mëngjesit, ishte ulur në tryezën e saj në qendrën kundër terrorizmit të CIA, kur dëgjoi se një aeroplan kishte fluturuar në qendrën botërore të tregtisë. Ajo dhe kolegët e saj nxituan të ndiznin televizorin dhe të ndiqnin mbulimin e lajmit. Ata panë se si avioni i dytë fluturoi në kullën tjetër në orën 09:03 të mëngjesit. Sulmet e Bin Laden, për të cilët ata kishin paralajmëruar, tashmë po ndodhnin sipër tyre.

Menaxherët e CIA u thanë të gjithëve që të evakuojnë ndërtesën e selisë së agjensisë CIA, por atyre në qendrën kundër terroriste iu tha se duhej të qëndronin në tavolinat e tyre. Në fund të fundit, ata dinin më shumë për Al Kaedën se kushdo tjetër në qeveri.

Skuadra e qendrës kundër terroriste u nda. Disa zyrtarë përpiqeshin të gjenin manifestet e pasagjerëve të avionëve të rrëmbyer. Bennett dhe anëtarët e ekipit të saj u përpoqën të zbulonin se cili mund të ishte objektivi i rradhës i terroristëve. Ata ishin shumë të vetëdijshëm, se militantët e lidhur me Al Kaeda kishin zhvilluar një plan gjashtë vjet më parë për të fluturuar  me një aeroplan në selinë e CIA. Dhe ja ku ishte, ai avion i rrëmbyer po shkonte drejt Washingtonit. Ai avion më pas do të rrëzohej në Pentagon, në orën 09:37 të mëngjesit.

Sulmet terroriste të asaj dite në New York, Washington DC dhe Pennsylvania vranë 2,977 njerëz.

Javët pasuese Bennett i përdori për tu tërhequr nga detyra e saj dhe për të gërmuar në përfshirjen e supozuar të diktatorit irakian Saddam Hussein në ndodhinë e 11 shtatorit.

Zyrtarë të lartë të administratës Bush ishin të bindur, se Saddam ishte i përfshirë. Sidoqoftë, kur Bennett hetoi nëse kishte ndonjë lidhje thelbësore midis regjimit irakian dhe Al Kaeda, ajo arriti në përfundimin, se regjimi i Saddam dhe Al Kaeda ishin “reciprokisht armike“; një analizë kjo, që Bennett ua komunikoi zyrtarëve të administratës Bush.

Megjithatë, Presidenti Xhorxh W. Bush ishte i vendosur të hynte në luftë dhe muajin pasardhës Sekretari amerikan i Shtetit Colin Powell foli në Këshillin e Sigurimit të OKB -së, duke pretenduar se Saddami fsheh një plan armësh për shkatërrimin në masë dhe ishte në aleancë me Al Kaedën.

Lufta e Irakut filloi në mars të vitit 2003. Shtatë muaj më vonë, më 11 nëntor 2003, Bennett dhe disa zyrtarë të tjerë të inteligjencës informuan Presidentin Bush dhe kabinetin e tij në një takim në “Dhomën e Situatës“ në Shtëpinë e Bardhë, duke u thënë atyre, “Iraku erdhi pikërisht në kohën e duhur për Al Kaeda” pasi e kishte lejuar grupin të bënte një rikthim. Ekstremistët fetarë nga e gjithë bota myslimane tani po vërshonin në Irak.

Lufta e Irakut kishte shpëtuar Al Kaedën.

Vdekja e Bin Laden

Tetë vjet pas fillimit të Luftës në Irak, Bin Laden u vra në Pakistan nga SEALs të Marinës Amerikane më 2 maj 2011. Një analiste e CIA-s në mesin e të 20-ave i dërgoi Bennett një mesazh duke thënë: “Hej, ishte një ditë vërtet e keqe për al Kaeda?“

Bennett u përgjigj: “Në fakt, po. është një ditë mjaft e keqe, por definitivisht nuk është më e keqja e tyre.”

Kolegia e Bennett e pyet atë: “Cfarë po thua? Bin Laden ka vdekur tashmë.”

Bennet pyeti kolegen e saj më të re në moshë për një grup terrorist dikur famëkeq, që kishte terrorizuar Gjermaninë gjatë viteve 1970: “hmmm, më lejo të të pyes dicka: A ke dëgjuar ndonjëherë për bandën Baader-Meinhof?”

Kolegia thotë: “Jo“.

Atëherë Bennett u përgjigj: “Epo, një ditë kur një oficer në Qendrën Kundër Terrorizmit të CIA -s të pyesë një oficer tjetër: ‘A ke dëgjuar ndonjëherë për Osama bin Laden apo al Kaedën?’ dhe ai të thotë ‘Jo’: Kjo është dita më e keqe “./CNN/ RealStory




Skip to toolbar