Habit deputeti i dalë nga lista e PD, shkruan CV me shkrim dore

AKTUALITET


Parlamenti është tempulli i debatit dhe demokracisë. Aty diskutohet për probleme madhore të qytetarëve, miratohen akte ligjore të rëndësishme juridike, që rregullojnë më pas jetën e miliona njerëzve. Deputetët janë anëtarët e Parlamentit, të zgjedhur të popullit, të votuar për të folur dhe debatuar në Kuvend, për të propozuar paketa ligjore dhe akte të ndryshme, në shërbim të qytetarëve. Por jo gjithmonë deputetët e kryejnë detyrën e tyre, madje, ka raste dhe ekstreme, kur deputetë shkojnë në Parlament vetëm për të përfituar benefitet financiare, dhe kaq.

Një prej tyre është deputeti i opozitës, dalë nga lista e PD-së, Kostaq Papa. Ai është futur në Kuvend pas djegies së mandateve të deputetëve të djathtë. Sipas një studimi të Institutit të Studimeve Politike, Kostaq Papa ka “0” diskutime në Kuvend, “0” votime të akteve, “0” angazhime në Komisione, “0” angazhim publik dhe “0” nisma ligjore.


Por, ai është kthyer në qendër të vëmendjes, jo vetëm për këtë mosangazhim të tij në Kuvend, por edhe për një arsye tjetër. Shkak është bërë CV e tij, apo thënë shqip, Jetëshkrimi.

Në media është publikuar një kopje e CV së tij, ku shihen të pasqyruara të dhënat për deputetin. Në këtë dokument, Kostaq Papa shkruan me shkrim dore eksperiencat në punë: “Konsulent juridik ndërkombëtar; Koordinator universitar; Drejtues në institucionet e shoqërisë civile”, duke mos dhënë asnjë informacion më tepër se ku ka punuar, periudhën që ka punuar, etj. Ndërsa në aktivitetet shoqërore dhe politike ai shkruan se ka qenë i përfshirë në: “Në institucione kombëtare e mbarëkombëtare e ndërkombëtare”.




Skip to toolbar