Kryeministri Edi Rama njoftoi sot hapjen e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes 2026, një program që synon të mbështesë fermerët në të gjithë vendin përmes 12 masave financiare, duke nxitur prodhimin vendas, formalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se aplikimet nisin sot dhe kryhen online përmes platformës e-Albania ose në Agropikat që gjenden në çdo bashki.
“Skema Kombëtare e Mbështetjes përfshin 9 masa direkte dhe 3 masa investimi”, u shpreh Rama.
Konkretisht Masat direkte të mbështetjes janë për:
-Tufën bazë të matrikulluar të gjedhit; Tufën bazë të matrikulluar të të imtave;
-Mbarështimin e bletarisë;
-Tufën bazë të matrikulluar për derra;
-Kontrollin biologjik të dëmtuesve në sera dhe tunele plastike;
-Fermat organike;
-Implementimin dhe certifikimin Global GAP;
-Mbështetje për sipërfaqet e mbjella;
-Ripopullimi i peshkimit në ujërat e brendshme.
Masat e investimit përfshijnë :
-Mbështetje për fermerët e rinj;
-Ndërtim dhe rikonstruksion stanesh dhe pajisje, makineri dhe mjete për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës.
Skema kombëtare për vitin 2026 është hartuar pas konsultimeve dhe dëgjesave me fermerët në të gjithë vendin dhe kombinon pagesat direkte me grantet për investime.
Fondi total i saj arrin në 5,2 miliardë lekë, ndërsa synimi kryesor është përfshirja e një numri më të madh të fermave të vogla përmes uljes së pragjeve minimale të përfitimit dhe rritjes së mbështetjes financiare.
Në sektorin e blegtorisë, mbështetja për tufën bazë të matrikulluar të gjedhit rritet në 12 mijë lekë për krerë, ndërsa numri minimal i tufës ulet nga 10 në 5 krerë. Për të imtat, financimi rritet në 1 500 lekë për krerë dhe pragu minimal zbret nga 100 në 50 krerë.
Për herë të parë, skema do të financojë edhe tufën bazë të matrikulluar të dosave dhe/ose paradosave me 7 mijë lekë për krerë, për fermat që kanë të paktën 5 krerë.
Mbështetje më të lartë do të përfitojë edhe sektori i bletarisë, ku financimi rritet në 20 mijë lekë për zgjua dhe kriteri minimal ulet nga 50 në 25 koshere.
Një nga risitë e këtij viti është edhe pagesa direkte për sipërfaqet e mbjella. Fermerët që kanë mbi 3 hektarë tokë të mbjellë do të përfitojnë 10 mijë lekë për hektar për të gjitha kulturat bujqësore.
Një tjetër komponent i skemës lidhet me formalizimin e tregut, ku fermerët do të përfitojnë kompensim prej 10% të vlerës së autofaturës për produktet bujqësore dhe blegtorale të shitura, në rastet kur pajisen me faturë nga grumbulluesit ose agroturizmat.
