Franca nuk pranon azilkërkues nga Shqipëria. Gjatë orëve të fundit janë kthyer 50 shqiptarë që janë dëbuar nga ky shtet pasi kanë kërkuar azil.
Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt nga Franca dhe në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me qeverinë tonë, nuk do të pranojë asnjë azilkërkues.
Zëvendës ministrja e Brendshme Rovena Voda është shprehur se kërkesa për azil nga shqiptarët është një hap i gabuar që i kufizon ata në udhëtimet të tjera drejt vendeve të BE-së.
“Udhëtimi në këto vende me qëllimin për të kërkuar azil, jo vetëm që është një kosto e madhe për qytetarët shqiptarë, por është një hap i gabuar, është një hap që kushton dhe jo vetëm shpenzon, por do t’i kufizojë këta shtetas edhe në udhëtime të tjera drejt vendeve të BE-së.
Unë dëshiroj të kujtoj që Shqipëria është një vend i sigurt, pra është në listën e vendeve të sigurta dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së”, është shprehur zv.ministrja Voda.