Harry Kane: Jam gati për finalen e Champions, por vendos Pochetino

CHAMPIONS LEAGUE


Sulmuesi i Tottenham, Harry Kane ka konfirmuar se do të jetë gati për të luajtur në finalen e Champions League ndaj Liverpool. 25 vjeçari dëmtoi ligamentet në ndeshjen e 9 prillit kundër Manchester City në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.

“Ndihem mirë, nuk kam pasur më probleme deri tani”, ka thënë Kane për mediat. “Fillova të stërvitem me ekipin në fundin e javës së kaluar. Këtë javë do të stërvitem në palestër për të marrë ngarkesën e nevojshme”, ka vijuar sulmuesi i “Spurs”.

“Pastaj është në dorën e trajnerit, ai do ta vlerësojë dhe do të vendosë nëse jam gati të luaj apo jo, deri më tani, ndihem mirë dhe gati”, është shprehur Harry Kane. Sulmuesi ka shënuar 24 gola në të gjitha ndeshjet për Tottenham këtë sezon, pavarësisht mungesës për gjashtë javë në janar dhe shkurt, kur dëmtoi ligamentin në kyçin e këmbës.

Ndërkohë, trajneri i Tottenham Mauricio Pochetino, i pyetur rreth aktivizmit të Kane në Madrid, është shprehur se nuk mund ta thotë me bindje se ai do të jetë. “Nuk mund të them se ai është me 100%, nëse ai do të jetë në dispozicion, në stol apo jashtë, por ne jemi të lumtur për progresin e tij”, ka thënë Pochetino.  



Skip to toolbar