Pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se Rama dhe Thaçi i kanë bërë presion për të hequr taksën ndaj Serbisë në Samitin e Berlinit, ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit shqiptar.
Rama me një postim të gjatë në Facebook ka shpjeguar se askush nuk i ka bërë presion Ramushit dhe askush nuk ka kërkuar këtë gjë. Sipas Ramës, madje edhe Merkel e Macron i kanë thënë jo ta heq, por ta pezullojë përkohësisht në mënyrë që të hyjnë në dialog. E vetmja ndërhyrje e imja, thotë Rama, është se i kam sugjeruar Ramushit në dy momente ta pranojë këtë kërkesë të tyre.
Reagimi i plotë i Ramës
E VERTETA IME ME SHUME DESHMITARE
Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë ne publik bisedat mes tyre e sidomos ato informale, aq me tepër pa rene dakord paraprakisht dhe lere pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për te dale “burra te mire” para popullit te tyre, si te ishin duke shitur mish ne pazar. Me vjen sinqerisht keq qe miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq te thjeshte, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish ne fakt, po një norme elementare mirëkuptimi njerëzor. Nuk është hera e pare qe e bën, po është hera me e gabuar dhe prandaj këtë here, s’e kaloj dot ne heshtje si te tjera.
Askush s’i ka bere Ramushit presion ne Berlin për te hequr taksen. Unë jo e jo. Madje askush as ia ka kërkuar hiç qe ta heqë taksen! Unë jo e jo. Përkundrazi.
Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, kane nxitur një diskutim informal ne holl mbi rifillimin e dialogut. Kam ndërhyrë vetëm një here, duke thëne se ata duhet te hynin vete ne proces. Me tutje i kane kërkuar me shume durim dhe disa here Ramushit jo ta heqë taksen, po thjesht te japë pëlqimin qe taksa te pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qofte, duke u zotuar qe te hyjnë ne procesin e dialogut Kosove-Serbi ata vete. Edhe te dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!
I kam sugjeruar Ramushit ne dy momente ta pranoje këtë kërkesë te tyre, sepse kam menduar dhe mendoj qe përfshirja direkt ne nivelin me te larte e Gjermanisë dhe Francës, boshtit te Bashkimit Europian, u shfaq si një mundësi e re dhe shume e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit te dialogut, ne nivelin me te larte te mundshëm.
E kam mbështetur dhe e mbështes edhe sot taksen si një “klithëm” te Kosovës, qe ta dëgjojë bota dhe si te tille edhe e kam mbrojtur, kudo e me këdo. Po unë di qe ajo është një takse qe i është vene Serbisë, jo një mur qe i është vene Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën, ne rrugën e përpjekjes se mundimshme historike drejt njohjes përfundimtare nga gjithë bota. Dhe kur këta aleate te mëdhenj dhe te pazevendesueshem dot nga askush e askurrë (pa te cilët jo Ramushin, po as Kosovën dhe te drejtën e saj njëqind vjet te mohuar s’do ta njihte kurrkush ende sot), kërkojnë thjesht pezullimin e përkohshëm te taksës, ne mënyrë qe te mund ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën drejt njohjes se saj te plote nderkombetarisht, refuzimi është i pakonceptueshem për mua.
Shtoj ketu se me ka mbetur gozhde fakti qe miqte e medhenj, hasen ne nje refuzim te pashpjegueshem edhe kur propozuan qe perkunder pezullimit te perkohshem te takses, nese ne fund te muajve te dialogut nuk do te arrihej objektivi final i nenshkrimit te paqes, atehere do t’i hapej perfundimisht rruge liberalizimit te vizave per Kosoven(!).
Gjithesesi, meqe Ramushi u qa publikisht se une i paskesha bere me shume presion se sa Vuçiçi per heqjen e takses, mua s’me mbetet tjeter vecse te ngushellohem me faktin qe pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi.
S’kam dashur dhe s’dua te hyj asnjehere ne polemika publike me askend ne Kosove, aq me pak me kryeministrin e Kosoves. Uroj qe te mos jem i detyruar ta bej perseri. Ai ka te drejten e tij te flase ne emer te Kosoves, po mua s’ma heq dot askush te drejten te flas per Kosoven.