Hill: Tradhtia që Macron i bëri Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

POLITIKË


Nga Christopher R. Hill

Që nga rënia e Murit të Berlinit 30 vjet më parë, liderët perëndimorë vazhdimisht kanë pohuar se nuk ka probleme në kontinentin europian që nuk mund të trajtohen nëpërmjet angazhimit me Bashkimin Europian ose zgjerimit të projektit europian. Por kjo pikëpamje e afatgjatë duket se po ndryshon, për shkak të një kombinimi të problemeve të brendshme të BE-së dhe indiferencës amerikane.


Mund të duket e çuditshme që Shtetet e Bashkuara do të inkurajonin anëtarësimin në klubin e dikujt tjetër në radhë të parë. Por nga pozicioni i saj udhëheqës brenda NATO-s, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë mbështetëse të përpjekjeve europiane për të konsoliduar unitetin politik dhe ekonomik në kontinent.

Dhe BE-ja, nga ana e saj, ka pranuar se anëtarësimi në bllok është një aspiratë logjike për vendet pas-sovjetike në periferi të saj. Ndërsa thellimi dhe zgjerimi i strukturave të BE-së ka dëshmuar se është më i vështirë sesa vëzhguan shumë vëzhgues amerikanë, liderët europianë kanë vazhduar të përpiqen, jo vetëm sepse kjo është ajo që pritej prej tyre në kontekstin e historisë së pas Luftës së Ftohtë.

Por takimi i fundit i Këshillit Europian më 17-18 tetor dha konfirmimin se diçka ka ndryshuar. Presidenti francez Emmanuel Macron mori vendimin për të bllokuar bisedimet e pranimit në BE me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Me largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja dhe tërheqjen nga politika të kancelares gjermane Angela Merkel, Macron është trashëgimtari i dukshëm i lidershipit europian. Por arsyetimi i tij për çështjen e zgjerimit të BE-së është i errët.

Shumë, madje edhe komplotuesit në Ballkan, supozojnë se Macron thjesht nuk ka oreks për procesin e vështirë të marrjes së dy vendeve anëtare nga një rajon ende problematik, duke pasur parasysh sfidat e brendshme tashmë me të cilat përballet BE-ja.

Megjithatë, zhgënjimi – madje edhe zemërimi – për vendimin e Macron është i dukshëm në Tiranë dhe Shkup (kryeqyteti i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut). Në fund të fundit, Maqedonia e Veriut sapo përfundoi ndryshimin e emrit të saj zyrtar me qëllim që të ndreqte marrëdhëniet me Greqinë, e cila kishte ushtruar gjithmonë veton për anëtarësimin e saj me arsyetimin se emri i saj ishte shumë i ngjashëm me rajonin grek të Maqedonisë.

Ndërkohë, Bullgaria, një tjetër anëtare e BE-së, ka frustruar gjithashtu përpjekjet e Maqedonisë së Veriut, duke akuzuar maqedonasit se pretendojnë heronjtë kombëtarë bullgarë si të tyret dhe duke kërkuar që ata të ndryshojnë librat e tyre të historisë.

I gjendur përballë këtyre kërkesave dhe duke luftuar me trashëgiminë e korrupsionit të lënë nga paraardhësi i tij (i cili, çuditërisht, tani ka gjetur “azil” në Hungari), kryeministri relativisht i ri, pa përvojë i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, arriti në përfundimin se vendit të tij duhej të hynte urgjentisht në NATO dhe BE. Ai përshpejtoi ndryshimin e shumëpritur të emrit, normalizoi marrëdhëniet me Greqinë, qetësoi bullgarët dhe bëri kërkesë për anëtarësim.

Ai e dinte që ndryshimi i emrit nuk do të pritej mirë, se shumë maqedonas e shikonin atë si një poshtërim që mund të justifikohej vetëm me pranimin në BE. Por, për shkak se NATO dhe BE kishin përmendur mosmarrëveshjen për emrin si pengesën kryesore të anëtarësimit, ai dhe publiku maqedonas kishin shpresa të mëdha se do të pranoheshin nga këto dy organizata.

Nga ana e saj, NATO ka vazhduar para. Edhe pse disa anëtarë ende duhet të aprovojnë, Republika e Maqedonisë së Veriut pritet të bëhet një anëtare e plotë e NATO-s në samitin e dhjetorit të aleancës.

Por procesi i pranimit në BE ka qenë shumë më i ngadaltë. Macron, i cili ka thënë shumë pak për këtë temë, duket se shqetësohet se zgjerimi i vazhdueshëm i bllokut do ta bëjë më të vështirë reformimin e strukturave të qeverisjes së tij. Por duke mbyllur dyert, ai e ka vënë Zaevin në një pozitë të pasigurt. Votuesit e Maqedonisë së Veriut, me shpresa të shkatërruara, do të shkojnë përsëri në votime për zgjedhje të përgjithshme në prill.

Në të kaluarën, dikush mund të priste që SHBA-ja të ndërhynte. Por në kontekstin e politikës së jashtme kryesisht të paformuar të presidentit amerikan Donald Trump, gjendja e vështirë e vendeve të vogla, të largëta si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, mezi hyjnë në listë.

Sigurisht, është e mundur që Trump është lodhur nga fuqia e yllit të presidentit francez dhe po e mirëpret kritikën e tij të fundit ndaj tij me një ndjenjë schadengfreude. Është gjithashtu e mundur që ndoshta Trump nuk dëshiron që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohen në BE. Por, ka shumë të ngjarë që ai thjesht nuk e di se çfarë po ndodh në Ballkanin Perëndimor.

Vetëm disa vjet më parë, padyshim që SHBA-ja do të kishte punuar me BE-në për të lehtësuar procesin e pranimit për të dy vendet. Ndërsa anëtarësimi në BE nuk do të zgjidhë problemet e tyre, ai do të ndihmojë në trajtimin e dobësive institucionale dhe do t’i sinjalizojë një Rusie në revansh se lojës gjeopolitike në Ballkan po i vjen fundi. Nisur nga trauma që rajoni ka pësuar gjatë 25 viteve të fundit, Amerika dhe Europa e kanë për detyrë të përmbushin premtimin e epokës së pas Luftës së Ftohtë.




Skip to toolbar