I rikthyer me vendim gjykate në polici, kush është efektivi i RENEA që u kap me mijëra euro në makinë

AKTUALITET


Efektivi i RENEA-s, Altin Morina u arrestua mesditën e djeshme në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë, pasi u kap në automjet me 113 mijë euro, 290 mijë lekë të reja dhe 80 paund.

Dyshohet se Morina është i lidhur me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Gjithashtu, ka dyshime të forta se efektivi ka lidhej me grupin e të shumëkërkuarit, Ervis Martinaj.


Tetë ditë më parë, Morina është parë në praninë e një të afërmi të Ervis Martinajt ku dyshohet se e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.

Kush është Altin Morina?

Altin Morina ka nisur punën në polici në vitin 2006 në komisariatin nr 3, në sektorin e krimeve. Në 2010, ai ka kaluar te kontrolli i brendshëm dhe më pas tek RENEA.

Në vitin 2015, Morina ka qenë edhe tek Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).

Po në 2015-ën, punonte si bodigard në një lokal nate. Në atë kohë është përjashtuar nga policia, pasi gjatë kohës që ndodhej në lokal është përfshirë në një konflikt dhe nuk iu bind kolegëve të policisë për tu shoqëruar. Me vendim gjykate, ai u rikthye në polici brenda vitit 2015.

Morina ka punuar edhe në Drejtorinë e Antiterrorit në 2019, ndërsa në 2021 ka qenë shef komisariati në Mallakastër.

Së fundmi, në vitin 2022 kaloi si shef stërvitje në RENEA.




Skip to toolbar