I shpëtuan tërmetit në Thumanë, Rama çon Aurelin dhe Alesion në shkollë

AKTUALITET


Ashtu siç u kishte premtuar, Kryeministri Edi Rama shoqëroi mëngjesin e të hënës në ditën e parë të shkollës pas tërmetit, dy djemtë që u hodhën nga ballkoni duke i shpëtuar rrënimit të pallatit në Thumanë. Aurel Lala, 10 vjeç dhe Alesio Cakoni 7 vjeç, u rikthyen në shkollë pas tre javësh. Ata u shoqëruan nga kryeministri me makinën e tij të punës drejt shkollës “Ahmet Zogu” në Kamëz, qytet ku tashmë kanë dhe banesat e reja.

Alesio Cakoni humbi motrën dhe babain nga tërmeti i 26 nëntorit në Thumanë, ndërsa ai mbijetoi së bashku me nënën dhe gjyshen. Aurel Lala humbi gjyshen dhe motrën nga tërmeti, ndërsa tani së bashku me familjarët e tjerë janë sistemuar në Kamëz. Gjatë bisedës me fëmijët, Kryeministri Edi Rama u kërkoi atyre të jenë nxënës të mirë. Rama u premtoi fëmijëve se do t`i ndjek hap pas hapi deri në përfundim të shkollës.


“Po morët 8 me mua e keni keq punënë, 6-7 nuk bëhet llaf. Të jeni me dhjeta, unë nuk ju ndahem do t’ju ndjek hap pas hapi deri kur të mbaroni shkollën. Mos kujtoni se jam kaq i butë. Ka shumë. Në dorë e keni vetë. Çantat i keni në rregull. Erdhëm të shkolla. Emrin e Mretit ka Shkolla, Ahmet Zogu”, tha Rama.

Pasi mbërritën në shkollë, fëmijët u futën në klasat përkatëse. Ndërsa Kryeministri i prezantoi nxënësit e tjerë me dy shokët e rinj të klasës. Drejtori i shkollës u dhuroi të dy fëmijëve uniformën e ekipit kombëtar të futbollit dhe nga një top për secilin. Kujtojmë se më herët, Aureli dhe Alesio u surprizuan nga kryeministri, i cili organizoi një takim me dy futbollistët e Juventus, Cristiano Ronaldo dhe Gianluigi Buffon.




Skip to toolbar