Emisioni “Real Story” i gazetarit Sokol Balla rikthehet në mbrëmje në orën 21:00 në News 24, në emisionin e parë për këtë vit. Emisoni i mbrëmjes të së hënës do të fokusohet te politika e jashtme e Shqipërisë. Në pjesën e parë do të diskutohet rreth asaj që ka qenë ngjarja kryesore e këtij fillim viti, Vrasja e Kasem Sulejmanit, komandantit të forcave elitare iraniane, “QUDS”.
Gjithashtu, lajmi tjetër i rëndësishëm është marrja e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria për herë të parë në historinë tonë. Të ftuar për të diskutuar për këto tema janë Etjen Xhafaj, në cilësinë e zëvendësminsitrit të Jashtëm, Tritan Shehu, ish-ministër i Jashëm, analistët Fatos Lubonja dhe Skënder Minxhozi si dhe në lidhje direkte eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni.
Në fillim të vitit të ri 2020, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vranë Kasem Sulejmanin, komandati i forcave elitare “QUDS” të Iranit. Ky akt nxiti tensione të mëdha mes SHBA dhe Iranit, aq sa republika islamike sulmoi disa baza amerikane në Irak si shenjë hakmarrje, por fatmirësisht pa viktima. Në të njëjtën ditë forcat ushtarake iraniane sulmuan një aeroplan civil ukrainas, që sapo ishte ngritur nga aeroporti i Teheranit.
Avioni i rrëzuar u mori jetën 176 personave në bord. Ndërkohë, lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei duke folur kundër SHBA për vrasjen e Sulejmanit, e quajti Shqipërinë “vend djallëzor”. Ndërkohë, Kryeminsitri Edi Rama gjatë marrjes së kryesimit të OSBE, i pyetur nga gazetarët nëse Shqipëria rrezikohet nga këto kërcënime, ai u shpreh: “Se nuk ka rrezik për vendin tonë”, ndërsa shtoi “se kush sulmon Shqipërinë ka sulmuar NATO-n”.
Gjithashtu, Shqipëria do të drejtojë gjatë vitit 2020, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE. Në marrjen e detyrës si kryesues i kësaj organizate, Kryeministri Edi Rama renditi disa nga prioritetet e tij, ndërsa tha se “kriza në Ukrainë është sfida kryesore”. Gjithashtu ai theksoi se OSBE do të punojë më shumë në terren në vendet ku ka konflik. /Realstory.al/