Kapja e një personi që kërkohej nga drejtësia shqiptare është bërë e mundur falë bashkëpunimit qytetar me një telefonatë tek 112.
Forcat “Shqiponja” në Tiranë, me marrjen e njoftimit, bënë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasit E. A., 30 vjeç, banues në Sarandë në rrugën “George W. Bush”.
Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim nga Policia Sarandë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Më datë 19.12.2016, rreth orës 14:40, në lagjen Nr. 1 Sarandë, ky shtetas në bashkëpunim me vëllanë e tij, kanë qëlluar me sende të forta (shkop bejsbolli) dhe mjete të mprehta (thikë), shtetasin Xh. H., duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup. Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga Komisariati i Policisë Sarandë.