Kafshët e sëmura dhe produktet e skaduara nuk do groposen më, do trajtohen në landfill

AKTUALITET


Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka nisur ndërtimin e një impianti, ku do të trajtohen produktet e skaduara që sekuestrohen nga AKU, apo kafshët e sëmura që azgjesohen sipas protokolleve të përcaktuara. Deri më tani, AKU i ka asgjësuar produktet ushqimore të sekuestruara, në vende të ndryshme, kryesisht duke i groposur. Por së shpejti do të marrë fund groposja në vende të ndryshme i këtyre produkteve, pasi ato do të trajtohen pranë landfillin e Sharrës. Lajmin e ka dhënë Ministri Blendi Çuçi, i cili ka publikuar në rrjetet sociale foto nga punimet që po kryhen për ndërtimin e landfillit të ri, ku do të trajtohen dhe asgjësohen produkte ushqimore apo kafshë të sëmura.

“Trajtimi i ushqimeve të skaduara që sekuestrohen nga AKU-ja apo edhe i kafshëve të sëmura që asgjësohen sipas protokolleve të përcaktuara nuk do të jetë më një problem mjedisor. Falë impiantit që po ngrihet pranë Landfillit të Sharrës do të disiplinohet i gjithë ky proces duke garantuar standardet më të mira mjedisore. Investimi që po bëhet gati përmes partneritetit publik privat është gjëja e duhur që adreson këtë problematikë të mbartur prej vitesh”.


“Asgjësimin e mallrave të skaduara e pa standarde, si dhe të kafshëve të sëmura e kemi detyrim ligjor për të garantuar shëndetin e konsumatorëve, por ky proces nuk mund të bëhet në kurriz të mjedisit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të mbështesë investime të tilla edhe në zona të tjera të vendit, duke besuar se kjo është mënyra e duhur për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi”, ka shkruar Çuçi.




Skip to toolbar