Tirana me shkollë të re, Veliaj: Më e mira në Shqipëri

AKTUALITET


Viti i ri shkollor do ta gjejë Tiranën me një shkollë krejtësisht të re dhe sipas Veliajt, ajo do të jetë më e mira në Shqipëri. Lajmin për hapjen e shkollës së re, Veliaj e ka dhënë gjatë mbledhjes së këshillit të ri bashkiak, ku tha se bëhet fjalë për shkollën “Servete Maçi” në Njësinë nr.9 ku 600 nxënës do të gjejnë një shkollë krejtësisht të re dhe jo vetëm me kushtet më të mira por edhe me arkitekturën më të veçantë.

“Di t’ju them që është disa herë më e bukur edhe më e arrirë sesa shkolla “Kosova”, nëse ka skeptikë, ju ftoj që në datën 16 shtator të jemi aty, nuk do besoni që jeni në Shqipëri, le më në Tiranë. Në atë shkollë, është një nga veprat më të arrira, është një shkollë muzike, qytetase, pra jo vetëm e lagjes, e Njësisë 9 dhe 8, aty ku ndodhet, por për të gjithë ata që kanë zgjedhur shkollën e muzikës besoj do të na bëjë të ndihemi krenarë. Ata që janë të vjetër në Këshillin bashkiak i kanë marrë vendimet për atë shkollë, dhe ata që janë të rinj dhe që përfaqësojnë komunitetin e Njësisë 8 dhe 9, apo nga e gjithë Tirana, ku ata që janë me prirje muzikore, sidomos 600 familje, do të çojnë fëmijët e tyre në shkollën e re, “Servete Maçi”, tha Veliaj.


Kjo është shkolla e pestë që Bashkia e Tiranës ka ndërtuar nga e para në këto 4 vite, pas “Betim Muço” në Kombinat, “Ardian Klosi” në Njësinë 4, “Shkolla Kosova” dhe “Hoxha Tahsin”. Por jo vetëm nxënësit e kësaj shkolle do të gjejnë kushte më të mira mësimi, pasi Bashkia e Tiranës është duke rikonstruktuar dhe disa shkolla të tjera, ku janë përmirësuar kushtet në ambientet aktuale si dhe janë shtuar ambiente të reja mësimi. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e shkollës “Ali Demi”, “Sabaudin Gabrani”, “Konferenca e Pezës”, “Gustav Mayer”, “Dhora Leka”, “Mihal Grameno”, si dhe disa shkolla të tjera në zonat rurale.




Skip to toolbar