Pas konfirmimit si kandidat i PS për zgjedhjet e Himarës, Vangjel Tavo ka dhënë dorëheqjen si prefekt i qarkut të Vlorës. Në një letër drejtuar ministrit të Brendshëm Taulant Balla, teksa i ka dërguar dorëheqjen, Tavo shpreh mirënjohjen dhe privilegjin që ka mbajtur këtë post në këto muaj.
“Sinqerisht, ka qenë privilegj i madh dhe përgjegjësi që përmes kësaj detyre, pata mundësinë të jem përfaqësuesi juaj në qarkun e Vlorës, kësaj zone të mrekullueshme të vendit tonë, përherë në vëmendjen e qeverisë dhe të kryeministrit. Përmes kësaj eksperience, kam njohur bashkëpunëtorë të denjë që kanë punuar me përkushtin, ndershmëri e profesionalizëm të cilët gjej rastin t’i falenderoj.“, shkruan mes të tjerash Tavo.
Vangjel Tavo u emërua prefekt i Vlorës në 13 mars të këtij viti duke zëvendësuar Flamur Mamaj, post që e mbajti për pak muaj. Ai do të përballet me kandidatin opozitar Petro Gjikuria në zgjedhjet e 4 gushtit.