Kapet me 35 doza kanabis, arrestohet korçari, procedohet një tjetër

AKTUALITET


Policia e Korçës ka arrestuar në flagrancë një shtetas, ndërsa ka nisur procedimin penal për një tjetër. Shtetasi me inicialet L.M., 38 vjeç banues në Korçë, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes, është arrestuar në flagrancë pasi është kapur me lëndë narkotike Cannabis Sativa. Ndërkohë, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit F.A., 35 vjeç, banues në fshatin Hotolisht të Librazhit, i dënuar më parë për veprën “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”.

Shërbimet e Policisë, nga informacione të siguruara në rrugë policore, ku dyshohej se shtetasit e mësipërm, bashkëpunonin me njëri-tjetrin dhe ushtronin aktivitetin në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, kanë organizuar punën dhe kanë bërë lokalizimin e tyre në lagjet nr.8 dhe nr.17 të qytetit të Korçës.


Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit L.M, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 35 doza me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa si dhe 17.500 lekë, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Citroen” të cilin shtetasi F.A., drejtonte si edhe në banesën e tij, iu gjetën e sekuestruan disa doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.




Skip to toolbar