Kapet në Tiranë Lamborghini i vjedhur në Gjermani, kushton 250 mijë euro

AKTUALITET


Policia e Tiranës ka mundur të gjejë dhe bllokojë një Lamborghini Huracan, i cili kushton rreth 250 mijë euro dhe rezulton se është vjedhur në Gjermani para rreth 1 muaji. Gjetja e mjetit luksoz është realizuar gjatë operacionit “Luxury Cars”, gjatë të cilit është vënë në pranga personi që e ka futur në Shqipëri dhe është shpallur në kërkim personi që dyshohet se ka realizuar vjedhjen në Gjermani.

Policia tha se Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, falë informacioneve nga burime të ndryshme operative, rezultoi se më datë 13 korrik 2019, në territorin e Shqipërisë ka hyrë nga një shtetas, një automjet i tipit “Lamborghini Huracán”. Ky mjet nga shteti gjerman është deklaruar i vjedhur më datë 30 korrik 2019. Sipas të dhënave, policia po heton sesi ka mundësi që mjeti ka hyrë në Shqipëri më 13 korrik dhe është denoncuar dy javë më vonë nga pala gjermane. Sipas të dhënave, kjo mund të ketë ndodhur për shkak të vonesës së hedhjes së informacioneve në sistem, por nuk përjashtohet edhe mundësia e bashkëpunimit të personave të tjerë për mashtrim me kompanitë e sigurimit.


Megjithatë, policia tha se pas marrjes së informacioneve për vjedhjen e mjetit luksoz, kanë konstatuar automjetin dhe menjëherë bën bllokimin e tij. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.D., 38 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Stuttgart, Gjermani, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Policia shpalli në kërkim për të njëjtat vepra penale, bashkëpunëtorin B.M., 43 vjeç, banues në Gjermani. Ata dyshohet se kanë bashkëpunuar për kryerjen e vjedhjes së automjetit luksoz në Gjermani me qëllim shitjen e tij në Shqipëri.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Lamborghini Huracán”, i cili  ka një vlerë monetare rreth 250.000 euro. Materialet e para procedurale iu përcollën Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.




Skip to toolbar