Keidi Bare: Kam lindur në situatë lufte, ja gabimi që kam bërë

Më të fundit


Keidi Bare është brezi i fëmijëve të lindur në vitin e vështirë 1997, kohë kur Shqipëria u përfshi në një konflikt civil, pas mashtrimit me sistemin piramidal në vend. Bare në atë kohë sapo kishte lindur, ndaj futbollisti ska se si të ketë kujtime për ngjarjet që kthyen Shqipërinë në një arenë të përgjakshme vëllavrasëse.

Pavarësisht kësaj, Keidi Bare është sot një nga lojtarët më të talentuar shqiptar, që aktivizohet me ekipin e Malagas në Spanjë, me të cilin synon rikthimin në La Liga.


Në fakt, fëmijëria e tij kujtohet në “Radio MARCA” që në rrugë, duke luajtur me shokët, gjithmonë me një top në këmbë: “Unë kam lindur në një situatë lufte dhe gjërat ishin shumë të vështira. Në fakt, ata që vuanin vërtet ishin prindërit e mi, ata kaluan një kohë shumë të keqe”.

Prindërit, që në moshën 11-vjeçare panë se djali i tyre kishte talent, mundësi për t’u bërë futbollist profesionist dhe nuk hezituan të shkonin në Greqi. “Që kur isha fëmijë, kam pasur të dhëna për t’u marrë me futboll. Kam qenë shumë i mirë në shkollë, por spikasja më tepër në futboll. Prindërit bënë atë që ishte më e mira për mua, si çdo baba apo nënë”, – kujton Bare.

Gjithsesi, fati i mirë e priste në një vend tjetër të Mesdheut, Spanjë: “U ktheva pesë vite më vonë në ekipin e qytetit tim, Apolonia. Për pesë muaj u ftova për provë tek Atletico Madrid. Katër ditë trajnim në “Cerro del Espino”, nga atje në Gjeorgji për një turne… U bëra pjesë e Atletico Madridit, ku qëndrova për pesë vite. Në fund të sezonit të kaluar vendosa t’i bashkohem Malaga-s. Një gabim i rëndë me të rinjtë, për të cilin pendohem çdo ditë e më shumë, duke ofenduar arbitrin, më kushtoi një dënim shembullor: 9 ndeshje pezullim”.

Kjo mund të ketë ndikuar në vendimin e Atlético Madridit për ta lejuar të shkojë te Malaga, edhe pse ai nuk mendon kështu: “Kam bërë diçka të keqe për veten dhe për ekipin, por vendosa me bindje të vija këtu. Unë nuk jam nga ata futbollistë, që mjaftohem me stërvitje dhe qëndrimin në stol. Ika nga Atletico Madrid për të bërë diçka të madhe dhe, kur më kërkoi Malaga, nuk u mendova dy herë“.

Mundësia e tij e parë në ekipin aktual, megjithatë, nuk shkoi siç pritej: “Në Zaragoza isha nervoz dhe i lumtur, kur më thanë se do të luaja nga fillimi, pasi kisha debutuar pak minuta, në fund të sfidës së mëparshme me Sporting. Mbaj mend se kemi fituar 2-0”.

Që atëherë, fieraku kuqezi ka një pikë referuese, Alfred N’Diaye: “Ai është një pasqyrë për mua, është një lojtar dhe njeri i mirë, më ndihmon shumë brenda dhe jashtë fushës”.

Shqiptari është i dashuruar me produktet e detit, veçanërisht pëlqen peshkun. Kjo ndoshta vjen nga fakti se ka jetuar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku e ka pasur bregdetin afër. Keidi thotë se ndihet i lumtur edhe në Spanjë, ekzaktësisht në Malaga, ku mund të shijojë ushqimet e preferuara:

“Ky vend është një parajsë, qoftë për të ecur në plazh, qoftë për të ngrënë ushqime deti… Kjo është ajo, që më pëlqen më së shumti. Eshtë qesharake ta them, por në Shqipëri ekziston një gjellë tipike, që të gjithë e pëlqejnë, ajo me fasule. Nuk ka shqiptar që nuk e ha atë, përveç meje (qesh)”.




Skip to toolbar